Evropianët shijuan një fundjavë në diell, ndërsa kufizimet mbi koronavirusin, u zbutën.
Imazhet tregonin njerëzit që shijonin diellin në parqe dhe plazhe në shumë vende evropiane gjatë fundjavës.
Në Francë, njerëzit u ulën përballë kullës Eiffel dhe u mblodhën në kopshte e lulishte në fundjavën e parë pas zbutjes së masave. Në Gjermani, një grup njerëzish bënin joga në Berlin në të parën fundjavë që njerëzit u lejuan të mblidheshin në grupe deri në tetë persona për të praktikuar sporte.
Në Greqi, njerëzit iu drejtuan plazheve publike pasi shumë prej tyre u rihapën për ta. Masat e distancimit social ishin të dukshme dhe cadrat ishin vendosur të paktën 4 metra larg njëra-tjetrës dhe maksimumi 40 plazhistë lejoheshin në çdo 1 mijë metra katror.
Në Britaninë e Madhe, radhë makinash shiheshin të parkuara afër parqeve natyrale ndërsa njerëzit u lejuan të kalonin më shumë kohë jashtë dhe të lëviznin në distanca më të gjata. Zyrtarët kishin paralajmëruar sidoqoftë kundër mbledhjes në parqe dhe plazhe.
Top Channel