Qyteti kryesor i Brazilit, Sao Paolo, thotë se sistemi i tij shëndetësor mund të pësojë kolaps ndërkohë që rritet kërkesa për shtretër në repartet e reanimacionit për të trajtuar rastet me koronavirus.
Zyrtarët thanë se spitalet publike kanë arritur tashmë 90 përqind të kapacitetit dhe mund të mos kenë më asnjë vend të lirë në hapsirën kohore të vetëm dy javëve. Ata akuzojnë ata që shkelin rregullat e izolimit duke thënë se po luajnë ruletën ruse me jetët e njerëzve. Sao Paulo është një nga rajonet më të goditura në vend me thuajse 3 mijë viktima deri më tani. Të shtunën, Brazili ia kaloi Spanjës dhe Italisë dhe u bë vendi me numrin e katërt më të madh në botë të infektimeve.
Ministria e Shëndetësisë raportoi 7938 raste të reja në 24 orët e shkuara, duke e cuar totalin në mbi 241 mijë. Vetëm SHBA, Rusia dhe Britania e Madhe kanë më shumë raste koronavirusi të regjistruara. Numri i viktimave në vendin në Amerikën Latine, gjatë 24 orëve të shkuara ishte 485, çka do të thotë se totali, prej 16118 viktimash është shifra e pestë më e madhe në botë.
Ekspertët e shëndetësisë në Brazil kanë paralajmëruar se numri real i infektimeve të konfirmuara në vend mund të jetë shumë më i lartë nga ai që raportohet për shkak të mungesës së testimeve. Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro është kritikuar jo pak si në vend por edhe jashtë tij, për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën e koronavirusit në brazilAi ka sfiduar këshillën kryesore globale për distancim social të dielën, kur pozoi për fotografët me mbështetës dhe fëmijë në kryeqytetin e vendit, Brazilia.
Top Channel