Nëse Gjermania do të kishte reaguar që në fillim të pandemisë së koronavirusit, situata do të kish qenë shumë më e mirë në vend.
Ky është konstatimi i mediave gjermane, që mendojnë se politikanët në vend, hezituan në javët e para të 2020 për të marrë vendime dhe masa të forta në luftën ndaj pandemisë, dhe u humbën 78 ditë nga paralajmërimi i parë. Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” dhe ekipi i hulumtuesve të “Bayerischer Rundfunk” janë fokusuar tek disa çështje që prekin reagimin ndaj pandemisë.
Pse rreziku i virusit të Coronës, SARS-coV-2 nuk u identifikua më parë? Pse në Gjermani për një kohë të gjatë mendohej se gjendja ishte e sigurtë, dhe duhej të kalonin disa javë, deri sa qeveria të merrte masa në luftimin e infeksioneve? Gazetarët gjermanë kanë siguruar dokumente të brendshme, e në bazë të tyre kanë bërë rikonstruktimin e ngjarjeve. Që më 31 dhjetor 2019, sistemi ndërkombëtar i hershëm i paralajmërimit, ProMED dërgoi një e-mail, ku flitej për një formë të panjohur të sëmundjes së mushkërive në Kinë. Njoftimin e mori edhe Instituti Robert Koch në Berlin. Ky ishte sinjali i parë për fillimin e një gare me kohën në luftë kundër virusit, por kaluan disa javë derisa përgjegjësit në politikë zbatuan masat në luftë kundër virusit.
Rastet e para në Gjermani u shfaqën në fund të janarit, shumica me simptoma të lehta. E ndërsa virusi përhapej në botë, në gjermani u festuan karnavalet. Vetëm kur situata nisi të përkeqësohet erdhi edhe reagimi. Pasi OBSh shpalli pandeminë, kancelarja gjermane tha në televizion se cështja është serioze dhe duhet marrë seriozisht.
“Sfida më e madhe e pas Luftës së Dytë Botërore”, e quajti ajo.
Deri më tani, në Gjermani janë regjistruar 7914 viktima. Gjermania, është lëvduar jo pak për mënyrën se si e menaxhoi krizën. Por, nëse reagimi do të kish ardhur 78 ditë më parë, bilanci do të kish qenë ndryshe.
Top Channel