Një grua në Kanada ka gjetur një mënyrë gjeniale për të përqafuar në siguri të plotë, nënën e saj edhe gjatë pandemisë së koronavirusit: dorezën e përqafimit, që nuk është gjë tjetër vecse një mbulesë plastike, me katër mëngë të qepura në të, varur në një tel rrobash.
Karolin Ellis dhe bashkëshorti i saj, Endriu, e krijuan të ashtuquajturën dorezë të përqafimit në prag të ditës së nënës, që këtë vit u festua më 10 maj në Amerikën e Veriut.
“Mendova që mamaja nuk po merrte përqafimet me të cilat ishte mësuar dhe duhej të bëja diçka për këtë. E doja për ditën e nënës”, tregon Karolin.
Dhe rezultati, ishte i kënaqshëm. Një video e regjistruar në momentin që Karolina përqafoi të ëmën, u nda në median sociale dhe u bë menjëherë virale, aq sa ka habitur edhe protagonistët.
“Unë doja thjesht të përqafoja mamanë time. U habitëm sa shpejt videoja u bë virale, por edhe u gëzuam sepse njerëz të tjerë mund të bënin si ne”.
Sigurisht, një përqafim përmes plastikës, nuk do të jetë kurrë si ai i vërteti, por në kohë të tilla, në mesin e izolimit dhe masave të tjera të distancimit social, kjo kujton pak normalitetin e dikurshëm dhe sjell shpresë…
Top Channel