Covid-19/ Stafi i spitalit belg i kthen shpinën kryeministres

18/05/2020 14:41

Qindra pjesëtarë të stafit mjekësor, në spitalin Shën Pierr, në bruksel, i kanë kthyer shpinën kryeministres belge, Sophie Wilmes, gjatë vizitës së saj atje.

Ata u vendosën përkrah njëri-tjetrit në hyrjen e spitalit, dhe i kthyen shpinën makinës së kryeministres. Pritja aspak miqësore kishte si qëllim të shfaqte mos pajtimin me mënyrën se si qeveria belge menaxhoi krizën e koronavirusit ndërkohë që kohët e fundit është miratuar edhe një legjislacion i ri për punësimin në sektor.

Mjekët dhe infermierët, por edhe stafi i administratës, morën pjesë në protestë.  Spitali Saint Peter, në Belgjikë, ka qenë në vijën e parë të frontit në luftën ndaj koronavirusit. Në të gjithë vendin ndërkohë ka patur ankesa për lodhjen e madhe si pasojë e orëve të gjata të punës gjatë periudhës së krizës, por edhe për pagat e ulëta dhe reduktimet e buxhetit.

Pas vizitës së saj, kryeministrja tha në një konferencë për shtyp se ajo e kishte konsideruar protestën si një thirrje për bisedime mes qeverisë dhe sektorit shëndetësor. Në Belgjikë, një vend me 11 milionë banorë, më shumë se 55 mijë persona janë prekur nga virusi deri më tani dhe mbi 9 mijë janë viktimat e tij. Në javën e kaluar, sidoqoftë, situata duket se është stabilizuar dhe shtrimet e përditshme në spital dhe viktimat kanë qenë të kufizuara nën 100. Qeveria belge është kritikuar për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën dhe për shkallën e lartë të vdekshmërisë në vend.

Top Channel