Covid-19, masat në Europë: Bosnja e Hungaria, hapin kufijtë

18/05/2020 21:44

Kufijtë e Bosnje dhe Hercegovinës do të rihapen më 1 qershor, konfirmoi kabineti i Këshillit të Ministrave të këtij vendi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Europa e Lirë.

Ky vend i mbylli kufijtë në 17 mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Këshilli i Ministrave ka miratuar tani vendimin që përcakton kushte shtesë për hyrjen në huajve në Bosnjen që shënon 2,300 raste infektimi me koronavirus dhe 133 viktima. Hungaria dhe Sllovenia kanë rënë gjithashtu dakord që deri në 1 qershor, t`i hapin gradualisht kufijtë e tyre.

“Pa rrezikuar mbrojtjen e shëndetit, është i nevojshëm një lehtësim i masave kufizuese të vendosura në kufij”, tha ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto. Në 15 maj, Sllovenia u bë vendi i parë europian që shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë. Vendet europiane po e vazhdojnë lehtësimin e masave të izolimit, që u vendosën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Numri i viktimave në Evropë ka rënë ndjeshëm, megjithatë ekzistojnë shqetësime për një valë të dytë të të infektuarve, pas zbutjes së masave kufizuese. Në të gjithë kontinentin janë rihapur kishat, monumentet historike, restorante, baret dhe si një numër i madh i hapësirave publike. Edhe bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, e mbyllur në 10 mars, u rihap për vizitorët të cilët duhet të respektojnë për çdo rast, rregullat e distancimit fizik. Përkundër shqetësimeve për një valë të dytë të mundshme të përhapjes së virusit, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, u tha italianëve se ata do të duhet të jetojnë me virusin dhe t’i rikthehen jetës normale.

Top Channel