Covid-19/ Bazilika e Shën Pjetrit hap dyert për vizitorët

18/05/2020 14:52

Bazilika e Shën Pjetrit ka hapur dyert e saj për vizitorët të hënën duke shënuar një hap drejt kthimit në normalitet në Vatikan, dhe përtej tij, në të gjithë Italinë, ku pjesa më e madhe e aktiviteteve të biznesit kanë rifilluar punë.

Meshat publike do të fillojnë në vendin me shumicë katolike, pas dy muajsh të ndaluara. Mbyllja e kishave në Romë, në fillim të emergjencës së koronavirusit në fillim të marsit, u përball me shumë kritika, përfshirë ato të papa franceskut. Sidoqoftë, ato u rihapën sërish tani, nën masat e distancimit social.

“Jam shumë i gëzuar që komuniteti ynë mund të ribashkohet dhe kjo është një shenjë shprese për të gjithë shoqërinë”, tha Papa Françesku të dielën gjatë meshës së tij të transmetuar online. Ky i fundit, i ka transmetuar meshat në këtë formë, nga një kishë në rezidencën e tij brenda qytetit të Vatikanit, gjatë gjithë periudhës së izolimit.

Ati argjentinas nuk pritet sidoqoftë të udhëheqë ndonjë ceremoni fetare publike edhe për disa kohë por të hënën, ai mbajti një meshë private para varrit të Papa Gjon Palit të II në 100 vjetorin e lindjes së tij.

Në pritje të rihapjes, Shën Pjetri, kisha më e madhe katolike në botë, u dezinfektua të premten. Shteti i Vatikanit, një enklavë e pavarur në zemër të Romës, ka aplikuar të njëjtat masa antivirus si Italia, ku bilanci i viktimave të koronavirusit është rreth 32 mijë. Bazilika duhet të ndjekë rekomandimet e Ministrisë së Brendshme italiane për kufizimin e pjesmarrjes në ceremoni fetare në ambiente të mbyllura në deri 200 persona dhe në ruajtjen e distancimit social e mbajtjen e maskave mbrojtëse.

Top Channel