Protestat në SHBA kundër masave të ndalim-qarkullimit

17/05/2020 01:29

Këto ditë në Miçigan, protestuesit u mblodhën në kryeqytetin e këtij shteti për të shprehur zhgënjimin e tyre me rregullat e ndalim-qarkullimit. Protesta të tilla janë shfaqur në mbarë Shtetet e Bashkuara, ndërsa disa njerëz po luftojnë kundër asaj që e shohin si mbikëqyrje dhe kontroll qeveritar ndaj jetës së tyre.

Shiu nuk i ndaloi protestuesit të shkonin në kryeqytetin e shtetit Miçigan, në Lansing, për të shprehur irritimin e tyre me urdhërat e ndalim-qarkullimit në këtë shtet. “Ne kemi të drejtën të sigurojmë jetesën. Ata nuk mund të na thonë se nuk mund të shkojmë më në punë. Kjo është e drejta jonë për të siguruar jetesën”, thotë Duncan, një protestues.

“Mbështesim hapjen e plotë të Miçiganit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu… Kjo nuk është diktaturë”, thotë Regina. “Është thjesht tirani e qeverisë. Nuk ka asnjë justifikim për këtë. Ata po përpiqen ta barazojnë me murtajën dhe tuberkulozin. Është një problem sigurish, por kura është më e keqe se sëmundja”, thotë Kenneth.

Protesta si këto po shfaqen në qytete në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ato janë pjesë e një përpjekjeje për t’i nxitur qeveritë e shteteve të hapin ekonominë. Por, ato gjithashtu paraqesin një varietet kauzash – e drejta e mbajtjes së armëve, aktivizmi kundër vaksinimit dhe kundër qeverisë së fortë, apo aktivistë pro-Trump, të cilët kanë shfrytëzuar momentin për të avancuar axhendat e tyre. “Unë mendoj se roli i qeverisë është të ndihmojë dhe jo të kontrollojë. Ajo që ne kemi parë qartë është se qeveria ka marrë një qëndrim kontrollues për këtë”, thotë Matt.

“Kjo është një kapje totale e pushtetit. Ky është transferimi më i madh i pasurisë që ka parë ndonjëherë bota”, thotë Steven. “Gjysma e këtyre vdekjeve nuk janë as të vërteta. Mendoj se njerëzit po vdesin, por gjysma e këtyre vdekjeve nuk janë as të vërteta”, thotë Matt. Shumë prej tyre i konsiderojnë kufizimet e qeverisë si një kufizim të lirisë së tyre dhe shprehin mosbesimin ndaj informacionit që dëgjojnë për virusin. Këto mesazhe janë përforcuar nga grupe të djathta të financuara mirë, që po i mbështesin protestuesit në mënyra të ndryshme, thotë Lisa Graves, e cila studion lëvizjet politike.

“Një mënyrë është duke ua mundësuar, në thelb duke ua kërkuar që të bëjnë protesta, dhe duke u dhënë udhëzime që protestat të fitojnë vëmendjen e shtypit. Një tjetër gjë që ne po shohim është krijimi i faqeve të mediave sociale ose faqeve të internetit për të ndihmuar në organizimin e njerëzve për t’i nxitur këto protesta, për t’i shndërruar në një lloj operacioni politik më afatgjatë për të avancuar axhendën e tyre”, thotë Lisa Graves, drejtore ekzekutive e organizatës kërkimore “True North Research”.

“Shfaqin diçka që njerëzit në disa mënyra nuk mund të mos e shikojnë, sepse është shumë tronditëse për shumë njerëz të shohin njerëz që dalin të armatosur në kryeqytetet e shteteve të tyre. Dhe kështu ata kanë marrë… një sasi disproporcionale mbulimi (mediatik), nëse bazohemi tek fakti se shumica e amerikanëve, shumica e përgjithshme e amerikanëve, besojnë se duhet t’i kemi këto masa për të mbrojtur jetën tonë dhe jetët e njerëve tanë të dashur”, thotë zonja Graves.

Kundër-protestuesit kanë marrë gjithashtu pjesë, ndër ta punonjës të kujdesit shëndetësor të veshur me mjete mbrojtëse. John Roase u ndje i detyruar të ndiqte mitingun e së enjtes sepse u mërzit kur pa armë në Kapitol. “Unë nuk jam kundër të drejtës së mbajtjes së armëve, por nuk ekziston asnjë arsye për këtë”, thotë John Roase, kundër-protestues.

Megjithatë, për disa njerëz, protesta është thjesht një mënyrë për tu dëgjuar, duke ngritur zërin për dhimbjen ekonomike të ndjerë nga shumë njerëz.
“Unë jam këtu veçanërisht për pronarët e bizneseve të vogla që po vuajnë tani, si dhe për njerëzit që janë të detyruar të jenë të papunë dhe që po luftojnë për të ushqyer familjet e tyre”, thotë Allison. Ka shenja se protestat po ndikojnë. Këtë javë, Gjykata e Lartë e shtetit Wisconsin rrëzoi udhëzimet për qëndrimin në shtëpi, duke mbështetur ligjvënësit republikanë në një mosmarrëveshje me guvernatorin demokrat./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA