Kuvendet dixhitale, një alternativë reale në periudhën e pandemisë

17/05/2020 02:59

Aktivitetet publike dhe bizneset që organizojnë grumbullime të tilla ishin ndër viktimat e para të koronavirusit. Në 2020, në Shtetet e Bashkuara një ndër ngjarjet kryesore politike – kuvendet partiake për emërimin e kandidatëve që do të konkurrojnë në zgjedhjet presidenciale, do të jenë shumë ndryshe nga kuvendet e mëparshme.

Koronavirusi mund ta ndryshojë procesin e zgjedhjes së një kandidati presidencial nga vota partiake në një kuvend masiv, në një komunikim përmes internetit që do të grumbullonte në një lidhje dixhiale delegatët nga 50 shtetet si dhe territoret amerikane për të votuar mbi kandidatin e preferuar për të përfaqësuar partinë e tyre në zgjedhje:

“Duhet që shumica të votojë për një kandidat. Pastaj emri i zgjedhur, shkruhet në një copë letër që i dërgohet Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Kur isha e re, e mora letrën dhe ia solla kandidatit demokrat për president, Walter Mondale që ta firmoste. Ky hap e vë kandidatin zyrtarisht në fletëvotime në gjithë vendin”.

Disa javë më parë, demokratët vendosën që ta zhvendosin kuvendin partiak nga mesi i korrikut në mes të gushtit, para kuvendit të republikanëve. Kreu i Partisë Demokrate, Tom Perez, thotë se partia do të udhëhiqet nga udhëzimet për shëndetin publik, kur të bëjë planet për kuvendin. Situata e krijuar nga pandemia ka vënë në pikëpyetje planet fillestare që mijëra delegatë të mblidheshin në Miuaki të Uiskonsinit.

Joe Biden pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate në një kuvend të zhvilluar përmes internetit. Ekspertët shpjegojnë se çfarë kërkon një organizim i tillë: “Nevojiten të paktën tre platforma të ndryshme dixhitale,” thotë Lara Brown e Universitetit George Washington. Zonja Lara Brown drejton programin e gradave shkencore në degën e menaxhimit politik në Universitetin George Washington.

“Një platformë e sigurtë do t’u ofrojë mundësi delegatëve nga çdo shtet të hedhin votën”. Kjo votë do të shërbejë për të zgjedhur dyshen e demokratëve që do të konkurrojnë për president e nënpresident. Në vend të një salle të zhurmshme, një lidhje përmes shërbimit Zoom me pjesëmarrjen e 5000 delegatëve, që kërkon sinjal të fortë interneti dhe shërbim të mbrojtur që nuk lejon ndërhyrjen e hakerave.

“Po ashtu nevojitet një platformë tjetër për të angazhuar mendimin e aktivistëve partiakë nga i gjithë vendi. Një platformë e tretë do të merret me anën e produksionit dhe realizimit të të gjithë aktivitetit,” thotë zonja Brown. Si përcillet ky kuvend dixhital në imazhe televizive që të ndiqen nga mbarë vendi për katër netë radhazi? “Nuk mendoj se realizimi i transmetimeve televizive këtë radhë do të jetë shumë ndryshe nga proceset me 20 mijë pjesëmarrës në sallë. Ka plot specialistë të talentuar që do të gjejnë mënyra origjinale për të realizuar emisione televizive interesante,” thotë zonja Kamarck.

“Ka shumë gjasa që realizimi të jetë një sipërmarrje shumë e ndërlikuar dhe rrjetet kryesore televizive e kanë të qartë sa e vështirë është, pasi transmetojnë drejpërdrejt aktivitete të tjera të komplikuara si kampionatet sportive,” thotë zonja Brown. Republikanët nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një kuvendi dixhital, por Presidenti Trump vuri në lojë përmes Twitterit demokratin Joe Biden për idenë që kuvendi demokrat të zhvillohej përmes internetit, duke sugjeruar se zoti Biden e bënte ngaqë kishte gjëra për të fshehur.

Por zonja Brown beson se një kuvend në formë dixhitale mund ta bëjë procesin politik më demokratik dhe transparent: “Kjo formë do të lejonte publikun të shihte nga afër edhe elementët jo fort interesantë të politik-bërjes,” thotë zonja Lara Brown./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA