Presidenti Alexander Vuçiç ka nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të muajit që vjen në Serbi por pandemia e koronavirusit e ka detyruar të ndryshojë paksa metodat e tij, të cilat kanë lënë disi të frikësuar disa shikues.

Vuçiç shihej sot në një takim virual në lidhje direkte me dhjetra mbështetës, për të cilën shumë komentonin se ishte si një skenë nga filmat horror.

Tre muret e studios që rrethonin politikanin ishin të mbushura me ekrane nga të cila dhjetra fytyra shikonin presidentin.

Për ta bërë akoma më të çuditshme, duartrokitjet e tyre dëgjoheshin pas çdo fjalie të Vuçiç, për të krijuar iluzionin se po fliste me një turmë të vërtetë njerëzish.

Video u shpërnda sot online.

“Presidenti serb ka mbajtur një miting virtual me dhjetra mbështetës që duartrokisnin live në lidhje. Ishte diçka e frikshme dhe absurde”, shkruante shpërndarësi i videos Sergej Dojcinovic.

Ai thoshte më tej se ashtu si shumë të tjerë që e kishin parë, dyshonte nëse mitingu virtual kishte ndodhur vërtet apo ishte vetëm një montazh.

“Unë duhet të pyesja miqtë e mi për t’u siguruar nëse kjo po ndodhte vërtet. Por jo, duket se me të vërtetë presidenti serb shkoi në një studio me 50 ekrane për të mbajtur një miting virtual elektoral, ku ai bërtiste në një hapësirë të errët boshe në studio”.

Por dhe politikanë të tjerë në botë kanë përdorur lidhjet video për të vijuar punën e tyre gjatë izolimit të koroanvirusit, me nivele të ndryshme suksesi.

Kësaj jave për shembull, në një takim të tillë të presidentit brazilian, në një nga ekranet një burrë dukej i zhveshur pasi kishte harruar të fikte kameran.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel