Një përdhunues famëkeq që vishej me uniformë polici për të kapur viktimat e tij, ka vdekur në burg nga koronavirusi në SHBA.
54 vjeçari Robert Burmingham, vdiq dje në një spital në Arkansas, teksa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krimet e tij.
Në çertifikatën e tij të vdekjes thuhej se Burmingham vdiq nga dështimi respirator hipoksik dhe pneumoni sekondare nga koronavirusi.
Covid-19 njihet që godet ata që vuajnë nga mushëritë, por nuk është e qartë nëse Burmingham kishte sëmundje të tjera që sollën reagimin ekstrem ndaj koronavirusit.
Ai kishte përdhunuar dy viktimat e tij në 1997, një prej të cilave 17 vjeçare. Ai njihej për stilin e veçantë të vendosjes së dritave blu në makinën e tij, për të dhënë përshtypjen se ishte një oficer policie, ndërsa u sulmonte vajzat pasi i ndalonte në rrugë të izoluara.
Shannon Woods, një nga dy gratë e përdhunuara nga Burmingham, tha se ishte e çliruar nga vdekja e tij. Woods ka qenë një nga aktivistet për krijimin e ligjit të veçantë në SHBA që ndalon përdorimin e dritave blu nga civilët.
“Jam e lumtur që ai nuk është më. Kisha marrë disa herë njoftimin se ai ishte liruar për vizitë të mbikqyrur në spital. Do të kisha qenë më e kënaqur nëse ai do të kishte pranuar krimet e tij. Kjo do të kishte sjellë qetësim për viktimat”, tha Woods.
Tetë të burgosur kanë vdekur nga koronavirusi në Arkansas që prej nisjes së epidemisë.
Top Channel