Hapja e restoranteve dhe bareve me 18 maj/ Rregullat e ashpra dhe protokollet me të cilat do të përballen

15/05/2020 16:10

Në vazhdën e masave lehtësuese, të ndërmarra nga qeveria për Koronavirusin, është dhe hapja e restoranteve dhe bareve.

Mirëpo hapja do të bëhet me një protokoll strikt, e cila përcakton se tavolinat duhet të vendosen në ambiente të hapura (kryesisht në veranda), por edhe duhet respektuar distanca sociale midis klientëve. Në emisionin “Shqipëria Live”, u fol në lidhje me këtë temë. Ilir Dushkaj, sipërmarrës i një lokali në kryeqytet, u shpreh se nga 15 tavolina që ka pas mbajtur në të kaluarën, tashmë do të ketë për përdorim vetëm 5 të tilla. Megjithatë, vështirësia më e madhe e Lirit, është në lidhje me fashat e orareve, që për të janë të kufizuara.

“Protokolli na ka ardhur dhe na jep mundësinë që nga shpina e tavolinës tek tjetra duhet të jetë një metër. Duke ndjekur protokollin, unë nga 15 tavolina do të kem 5 tavolina. Në një tavolinë duhet të qëndrojnë të paktën 5 veta dhe nga një distancë prej 1 metër, do ta shfrytëzoj biznesin vetëm 30%. (po personat e të njëjtës familje, burrë grua, prind fëmijë) Këtë protokolli nuk e ka përcaktuar. Kjo është dhe frika që do të abuzohet. Nëse klientë janë të dashur, bashkëshortë, duan të qëndrojnë dhe ngjitur, por protokolli nuk e thotë këtë gjë. Këtu mund të abuzohet nga organet ligjzbatuese. Veranda është e rëndësishme për një lokal. Tani është qesharake, sepse me 5 tavolina, nga 14 punëtorë unë do të mbaj vetëm dy. Për momentin jo nuk kemi vendosur sepse edhe njerëzit kanë buxhet të vogël. Orarin unë ende nuk arrij ta kuptoj, sepse aq më i ngushtë të jetë orari aq më shumë njerëz do të vijnë”, tha Iliri.

Kuzhinieri, Anton Zefi, njëkohësisht pronar i një lokali në Lezhë, u shpreh se është pozitive fakti që të paktën këto shërbime do të rihapen. Por paralajmëroi se me kapacitet të reduktuar, restorantet e baret do të detyrohen të rrisin koston e shërbimit.

“Përtej kësaj problematike që na ka kapluar të gjithëve, duhet të shohim dhe anën pozitive. Duhet të shohim dhe pjesën të paktën ne do t vazhdojmë, patjetër që ndikon shumë protokolli i krijuar. Për pjesën e pozitivitetit po flas që ka gjëra pozitive, që do të vazhdojnë, por ka dhe problematika që do të shkojnë në kurriz të konsumatorit. Mund të jetë e pamundur që ti të qëndrosh me këto çmime. Ti nuk hapesh me numrin e tavolinave, para se të ndodhte kjo. Tavolinat janë shumë më pak. Këtu thuhet 40 % por unë kam përshtypjen se është 70% më pak”, u shpreh Anton Zefi.

Gjovalin Zeka, është pronari i një restoranti në Fishtë. Nga 50 persona që mbante në të kaluarën veranda e biznesit të tij, tashmë me rregullat e reja do të mbajë vetëm 20. Vështirësia e tij më e madhe, qëndron në lidhje me mbylljen që bëhet nga shteti gjatë fundjavave. Sepse, biznesi i tij në fundjavë ka vizitorë nga Tirana, Vlora dhe Durrësi.

“Prodhimtaria e një biznesi vjen pas vitit të katërt, ne për fat të keq na erdhi pandemia dhe po e bëjmë hapa mbrapsht. Ne kemi pasur fatin e mirë, që zoti na ka dhënë natyrën. Ktu afërsisht, kanë pas qëndruar 50 persona, tashmë 20 persona besoj do të qëndrojnë. Vitet e para kemi pasur të zonës, në panaire të ndryshme. Fundjava është me Tiranën, Durrësin, Vlorën. Më së shumti vijnë në fundjavë. Ne do të nisim të hënën deri në orën 17:30, me thënë të drejtën është pak pa kuptim. Ne do të punojmë deri të premten, por nëse ndryshojnë rregullat, do të shohim. Ne realisht kemi marrë masat dhe të punojmë deri të premten është e vështirë, sepse ne fundjavën presim. Ne kemi dhe sallën e brendshme. Është për 100 persona por nuk do të jetë funksionale”, tha Gjovalini.

Arbër Çepani, i cili njihet nga të gjithë dhe si fituesi i “Big Brother 1”, aktualisht ka në dispozicion një bar në Tiranë. Arbi tha se ka marrë të gjithë masat e nevojshme të cituara dhe në protokoll, por kërkon dhe mirëkuptimin e shtetit. Arbi thotë se institucionet përkatëse të luajnë një rol këshillues dhe të mos vijojnë me gjoba. Sa i përket rritjeve të çmimeve, ai tha se nuk kanë menduar të ketë, sepse nëse do të ketë, biznesi do të jetë drejt falimentimit.

“Nuk është se ka ndryshim, jemi të gjithë keq në këtë lloj situate. I kemi bërë Erjona me aq sa dimë e mundemi, duhet kuptuar që ne nuk kemi sinjalizimet dhe të punojmë tek infektivi. Pas hapjes të gjitha institucionet të kenë dhe pak rol këshillues. Është bërë një reduktim masiv dhe lista e ndryshimeve është shumë e gjatë. Ka kosto, dëshiron një lloj trajnimi dhe profesional për ta bërë këtë gjë. Minimalisht në këtë lloj situate nuk duhet të na vijnë me sëpatë në dorë, por të na këshillojnë. Dua që biznesi, në situatën që është i duhet t’i hapen krahët në të gjithë mënyrat e mundshme. Kemi dy muaj që vetëm paguajmë, na duhet mirëorganizim dhe mirëkuptim nga të gjitha palët, për ta kaluar të gjithë sëbashku. Ne jemi shumë koishient, që jemi në një krizë të madhe. Jemi në një situatë krize, nëse mendojmë për rritjen e çmimeve do të jemi në prag të falimentimit, deri tani nuk po e mendojmë, por shpresojmë që të mos arrijmë në këtë plan”, u shpreh Arbi.

Top Channel