Ministrja franceze, Agnès Pannier-Runacher ka thënë se për Francën do të ishte e papranueshme që gjiganti francez i ilaçeve, Sanofi t’i japë prioritet tregut të Shteteve të Bashkuara nëse zhvillon vaksinën kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ajo i ka bërë këto komente pasi shefi i kompanisë Sanofi, Paul Hudson, ka thënë se “Qeveria amerikane ka të drejtë për të bërë porosinë më të madhe, sepse ka investuar në marrjen e rrezikut”. Aktualisht, shumë laboratore janë të përfshira në kërkimet për gjetje të vaksinës për këtë virus, ndonëse këto të fundit marrin disa vjet për t’u krijuar. “Për neve, do të ishte e papranueshme që të ketë qasje të privilegjuara për ndonjë shtet, për arsye financiare”, ka thënë Pannier-Runacher. Edhe ministri i shëndetësisë, Oliver Veran, tha se kishte biseduar në telefon me shefin e Sanofi-t.

“Për mendimin tim, pyetja kryesore është jo kush do të përfitojë i pari nga vaksina por kush do ta gjejë i pari një vaksinë. Dhe unë mund të garantoj se sapo të kemi një vaksinë, do të bëjmë gjithçka që është e mundur që francezët, evropianët dhe e gjithë bota të përfitojnë prej saj. Unë mendoj se ajo që ka thënë shefi i sanofit është nxjerrë pak nga konteksti dhe unë mora garanci prej tij se të gjithë njerëzit që duhet të përfitojnë nga vaksina, do të përfitojnë prej saj”.

BE insistoi të enjten se cdo vaksinë kundër koronavirusit duhej të ishte e disponueshme për të gjithë vendet.

“Solidariteti dhe koordinimi është mënyra më efektive për të përballuar Covid 19. Vaksina kundër covid 19 duhet të jetë një e mirë publike globale dhe aksesi tek ajo duhet të jetë i barabartë dhe universal”.

Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian organizoi një konferencë donatorësh për të ndihmuar përpjekjet për gjetjen e një vaksine dhe në të u mblodhën rreth 8 miliardë dollarë nga 40 shtete të botës dhe donatorë të tjerë.

Sipas agjencisë evropiane të ilaçeve, një vaksinë mund të jetë gati në harkun kohor të një viti, por ajo nënvizoi se ky ishte një skenar optimist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA