Plani i rindërtimit, Veliaj: “Do të kemi 2200 apartamente në total, askush nuk do marrë 1 metër më pak sesa ka”

13/05/2020 21:08

Shumë shpejt do të akomodohen 1000 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërkohë që në total do të jenë në dispozicion 2200 apartamente. Duke folur në konferencën me dy arkitektët italianë për planet e rindërtimit, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se ky projekt do të zgjidhë çështjen e strehimit në zonat urbane.

“Ne akomodojmë 1000 familje, janë thuajse gjysma e familjeve në zonat urbane që kemi me qira. Ky projekt automatikisht zgjidh gjysmën e problematikës në zonat e urbane, ndërkohë do të kemi 2200 apartamente në total; 442 i kemi rezervuar për ato që janë kredi të buta të Bashkisë, janë dëmtuar nga tërmeti, por akomodohen kryesisht ata që kanë ndërtuar në mënyrë informale. Kemi edhe një komunitet shtesë të familjeve të reja që i subvencionojmë me kreditë e buta”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se janë marrë të gjitha masat për lirimin e territorit ku do të nisë punën projekti gjigant i rindërimit. “Mezi pres të fillojmë punën. Kemi marrë masat për lirimin e territorit. Fillimisht do të bëjmë një menaxhim social të të gjitha rasteve të atyre që mund të kenë uzurpuar territorin për vite. Garancia që u japim është se asnjëri nuk do të marrë 1 metër më pak seç ka, por do të duhet të pranojmë zhvillimin e ri dhe për atë pjesë të lagjes. Ndërkohë, miksimi me institucionet publike të qeverisë do të shoqërohet edhe me institucionet e Bashkisë për ta animuar edhe nga ana administrative atë zonë “, theksoi Veliaj.

Top Channel