Moisés Escamilla May, kreu i tmerrshëm i kartelit meksikan Los Zetas, ka vdekur në burg pasi u infektua nga koronavirusi.
45 vjeçari Escamilla, po kryente dënimin prej 37-vjet për krim të organizuar, duke përfshirë dhe rolin e tij në ekzekutimin e 12 njerëzve në Yucatán.
Moisés Escamilla May, i njohur gjithashtu si Gordo May (Mai i Shëndoshë), drejtonte grupin e quajtur “Old School Zetas”, pjesë e kartelit kriminal Los Zetas.
Ai ka qenë furnitori kryesor i kokainës në Cancún, duke e trafikuar me anë të rrugëve detare nga vendet e Amerikës qendrore, në rezortin e famshëm turistik.
Kur ai u arrestua në 2008 bashkë me tetë njerëzit e tij, banda konsiderohej si organizata më e fortë kriminale në zonën e Cancún.
Ai konsiderohej si një i burgosur shumë i rrezikshëm dhe mbahej në burgun e sigurisë së lartë Puente Grande në Jalisco.
Banditi kishte shfaqur probleme të rënda respiratore prej 6 majit dhe vdiq dy ditë më vonë, por autoritetet bënë publike ngjarjen vetëm dje.
Kombet e Bashkaura kanë paralajmëruar se burgjet e tejmbushura të Meksikës janë epiqendra të mundshme të koronavirusit pasi të burgosurit nuk mund të mbajnë distancë sociale.
Për këtë arsye ka pasur protesta të dhunshme nga të burgosurit në Venezuelë, Peru e Kolombi.
Vetëm në burgun e Puente Grande ka pasur 74 raste me koronavirus sipas mediave lokale.
Top Channel