184 banorë të moshuar në bashkinë e Finiqit janë transportuar për në spital gjatë kësaj periudhe pandemie me mjete publike të bashkisë.
Gati 100 persona janë vënë në dispozicion të kësaj situate dhe bashkia e Finiqit e cila përbëhet nga 58 fshatra të minoritetit grek thotë se më shumë sesa parabnë këtë periudhë i janë dashur njerëz për të asistuar të gjithë këtë kontigjent në nevojë.
“Ne kemi luajtur edhe rolin e ambulancës. Kemi dy ambulanca të cilat i kemi vënë në dispozicion dhe i kemi shërbyer deri më sot pothuajse të gjithë të sëmurëve të cilët kishin probleme sidomos drejt spitalit të Sarandës. Si në të gjithë këtë epidemi edhe këtu në zonën tonë ka pasur vdekje të njerëzve të vetmuar në shtëpi pa prezencën e askujt, psh në fshatin Vrion kemi gjetur një ish mësues të moshuar të vdekur në shtëpi mesa duket nga një atak kardiak. Më e trishtueshme ka qenë e nesermja kur në varrim ishin vetëm pak njerëz dhe bashkia”, shprehet Ziso Lluci, shef i kabinetit.
Adelina infermjerja që mbulon qendrën shëndetësore për këtë zonë thotë se i duhet të asistojë çdo ditë dhjetëra të moshuar. Problematika kryesore gjatë këtyre ditëve përveç semundjeve kronike që mbartin ka qenë e shoqëruar me frikën dhe situatën e ngarkuar emocionale.
” Janë shumë të frikësuar, të vetmuar dhe të frikësuar. Edhe të gjithë ata që ndiheshin të sëmurë më shumë e kishin nga frika dhe për këtë i kemi çuar më pas në spital.”
” Ditë të vështira shumë por kishim ndihmë nga vajza këtu dhe nga bashkia që më solli ilaçet nga Greqia. Jam shumë e kënaqur sepse nuk dija si tja bëja. Unë vuaj edhe nga diabeti edhe nga tensioni.”
” Mua mu sëmur gruaja dhe e çuam në Sarandë me makinën e bashkisë dhe ndenji makina pesë orë atje dhe e prumë prapë në shtëpi, edhe pensionin ma prunë në shtëpi.”
” Unë u sëmura rreth orës 11. U mërzita shumë që shikoja lajmet e zeza nga Italia dhe më ngrit tensioni. Thashë me vete do vdes këtu pa fëmijët e mi, çdo bëhet do më varrosin të hujat. Mora në telefon për ndihmë dhe erdhën më morën natën më çuan në spital dhe më kanë qëndruar të gjithë në kokë. U përmirësove dhe erdha në shtëpi. Më ka thënë infermjerja nuk do shikosh fare lajme, vetëm këngë e valle kështu që vetëm ato dëgjoj tani, asgjë tjetër”
” Njerëzit kishin frikë, do sëmuremi, fëmijët nuk vijnë se janë jashtë femijët nuk janë këtu dhe ashtu njëri-tjetrin kemi ndihmuar dhe vazhdojmë akoma. Fëmijët kanë ndihmuar vetëm me ilaçe. I dërgonin dhe Janinë dhe pastaj këtu.”
Ka pasur shumë banesa që janë hapur dhe vjedhur gjatë kësaj periudhe dhe kjo ka rritur pasigurinë mes njerëzve.
” Gjatë kësaj periudhe vajzën time e kanë vjedhur dhe Vaso Kiçon. Krijon shqetësim se nuk dalim jashtë nga porta tani, sot dola vetëm të psonis.”
” Ne me policinë bashkëpunojmë shumë mirë. Është një postë policore në Livadhja, është pranë nesh por janë 8 policë për 60 fshatra. Për mua duhet të shtohet personeli që të kenë mundësi të ndëryjnë, megjithëse kohët e fundit janë eleminuar shumë vjedhje por ka patur raste si psh pardje në fshatin Zminec afër Rripësit një qytetar ka një depo atje, punon kultivon ca ullinj, ja vodhën të gjitha.”
Bashkia e Finiqit e treta më e madhja në Shqipëri, me rreth 44 mijë banorë ka popullsi aktuale jo më të madhe se 8000 banorë. E gjithë popullsia këtu vazhdon të ketë nevojën për asistencë pasi të gjjthë janë të moshuar, fshatrat janë shumë të distancuar nga njëri tjetri dhe ende të moshuarit që nuk kanë afër famijët e tyre do të vijojnë të kenë nevojën e shërbimeve publike për një kohë të gjatë.
Top Channel