SHBA/ Në javën e fundit të mandatit, Gjykata e Lartë do të vendosë për çështje kyçe

10/05/2020 03:34

Pasi filloi të përdorë teknologjinë dixhitale për shqyrtimin e disa rasteve për shkak të koronavirusit, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të vendosë javën që vjen, në fund të mandatit të këtij sezoni, për disa çështje të rëndësishme. Nga e hëna deri të mërkurën, anëtarët e gjykatës do të dëgjojnë argumenta që kanë të bëjnë me tre tema të gjera: lirinë fetare, kërkesat që Presidenti Donald Trump të lëshojë dokumente për financat e tij dhe nëse anëtarët e kolegjit electoral duhet të votojnë për kandidatin që fiton votën popullore në shtetin e tyre.

Zakonisht, gjykata dëgjon argumenta për rreth 70 raste në vit, pjesa më e madhe lidhur me mosmarrëveshje mes gjykatave më të ulëta. Por numri i çështjeve për këtë mandat është 57, pasi disa nga rastet janë shtyrë deri në vjeshtë. Është numri më i vogël i rasteve prej mbi një shekulli. Në një zhvillim historik, këtë javë gjykata i mbajti argumentat gojore me telefon dhe videokonferencë, për gjashtë raste. Vendimi për t’i shqyrtuar rastet virtialisht erdhi pasi pandemia detyroi mbylljen e pjesës më të madhe të godinave qeveritare.

Ja tre nga çështjet madhore që do të diskutohen përmes telefonit ose videokonferencave, javën e ardhshme.

Liria fetare
Pothuajse në çdo mandat, Gjykata e Lartë shqyrton çështje të lirisë fetare dhe asaj të ndërgjegjes. Të hënën, anëtarët e gjykatës do të dëgjojnë argumentat në dy raste të kombinuara së bashku: ai i Shkollës “Zonja Jonë e Guadalupes” ndaj Morrisey -Berru dhe shkollës St. James ndaj Biel. Të dyja rastet kanë të bëjnë me dy ish-mësues në klasa të pesta të shkollave katolike në Kaliforni, të cilët i hodhën në gjyq shkollat për diskriminim, pasi ato refuzuan të rinovonin kontratat e tyre.

Shkollat thonë se janë të pandëshkueshme për diskriminim, duke përmendur një doctrine të njohur si “përjashtim fetar” që sipas tyre ndalon punonjësit fetarë të institucioneve kishtare të hedhin në gjyq punëdhënësit e tyre. Por mësuesit argumentojnë se ata janë punonjës dhe jo priftërinj. Departamenti i Drejtësisë ka paraqitur një letër në mbështetje të shkollave.

Të dhënat financiare të Presidentit Trump
Gjykata e Lartë zakonisht i shmanget diskutimit të çështjeve kur ka mosmarrëveshje mess dy degëve të tjera të qeverisë. Por vitin e kaluar, anëtarët e saj ranë dakord të dëgjojnë tre raste të ndryshme për dokumentat financiate të Presidentit Trump, përfshirë dy kërkesa të demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që po hetojnë dokumentat financiare të presidentit. Dy rastet janë kombinuar në një. Rasti i tretë ka të bëjë me një kërkesë të vitit 2011 të Prokurorit të Nju Jorkut, Cyrus Vance ndaj llogaritarëve të taksave të zotit Trump, si edhe për dokumenta të tjera. Vendimi i Gjykatës së Lartë për këtë çështje do të përcaktojë nëse zoti Trump do t’i bëjë publike të dhënat e tij financiare para zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti.

Ndryshe nga kandidatët e tjerë presidencialë, zoti Trump nuk pranoi të bënte publike formularët e tij të taksave gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 dhe vazhdon të mbajë të njëjti qëndrim. Nuk është e qartë nëse gjykata do të vendosë për këtë çështje. Javën e kaluar, ajo u kërkoi palëve, si edhe Departamentit të Drejtësisë që të depozitojnë opinione ku të shpreheshin nëse gjykatat, duhet të qëndrojnë jashtë kësaj përplasjeje, sepse në thelb është “një mosmarrëveshje politike” mes dy degëve të qeverisë.

Ligjet për dënimin e anëtarëve të kolegjit elektoral
Dy raste të tjera të kombinuara për të cilat do të diskutohet në ditën e fundit të mandatit, do të analizojnë nëse shtetet mund t’u kërkojnë anëtarëve të kolegjeve elektorle të votojnë për kandidatin fitues në shtetin e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, në vend që të hedhin votën direkt për presidentin, zgjedhësit përcaktojnë anëtarë të “Kolegjit Elektroral” që hedhin votën për presidentin. Shumica e shteteve u kërkon anëtarëve të tij që të angazhohen të votojnë për kandidatin që fiton votën popullore. Ata që nuk e respektojnë këtë premtim, ndonjëherë ndëshkohen.

Rasti që është tani në Gjykatën e Lartë doli nga zgjedhjet e vitit 2016. Në shtetin e Uashingtonit, ku fitoi demokratja Hillary Clinton, tre anëtarë demokratë të kolegjit, u gjobitën pasi votuan për Colin Powell. Në Kolorado, një tjetër shtet ku votoi zonja Clinton, një anëtar u shkarkua pasi votoi për një republikan. Rasti përfundoi në Gjykatën e Lartë pasi këto dy shtete arritën përfundime të ndryshme nëse mund t’I dënonin anëtarët e kolegjit electoral. Gjykata e Lartë e Shtetit të Uashingtonit, e mbajti në fuqi gjobën, por në Kolorado një gjykatë apeli, arriti në përfundimin se ligji për ndëshkimin e anëtarëve të kolegjit elektoral, shkel Kushtetutën amerikane. Vendimi i Gjykatës së Lartë mund të ketë ndikim direkt në zgjedhjen e nëntorit dhe më tej./VOA

Top Channel