Nënpresidenti Pence bisedon me udhëheqës fetarë për “grumbullime të përgjithshme”

09/05/2020 02:45

Nënpresidenti amerikan Mike Pence shkoi në Des Moines të Ajovas të premten, për t’u takuar me udhëheqës fetarë dhe për të diskutuar me ta për rihapjen “e përgjegjshme” të shërbimeve fetare për publikun, në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt në Kishën Presbiteriane Westkirk në Urbandale. “Është e rëndësishme që ndërsa rihapim Amerikën, të forcojmë themelet e këtij vendi”, tha zoti Pence.

Nënpresidenti shoqërohej nga dy senatorët republikanë nga Ajova, Chuck Grassley dhe Joni Ernst. Ernst, me një emocion të dukshëm tha se “do ta kapërcejmë këtë krizë së bashku”. Grassley tha se porosia e Zotit është të shqetësohemi për ata që janë më keq se ne dhe se qeveria ka një rol për të luajtur.

Guvernatorja repiublikane e Ajovas, Kim Reynolds, deklaroi javën e kaluar se do t’i hiqte kufizimet për grumbullimet fetare dhe do të lejonte shërbesat të mbaheshin në gjithë shtetin, në kushtet e distancimit fizik dhe shtimin e masave sanitare. Në tryezën e rrumbullakët, ajo tha se është mirënjohëse që administrata po “i respekton të drejtat kushtetuese të institucioneve fetare për të vendosur se si e praktikojnë besimin e tyre”.

Michael Mudlaff, prift në kishën Westkirk shprehu rezerva për maskat. Ai kërkoi që mbulimi i fytyrës të mos ishte i detyrueshëm, duke thënë se maskat “nuk ndihmojnë marrëdhëniet njerëzore dhe pengojnë këndimin e himneve dhe lutjet”. Jo të gjithë janë pro hapjes së objekteve fetare. Komuniteti hebraik beson se është herët për t’u rihapur, tha rabini David Kaufman i tempullit B’nai Jeshurun.

“Ne duam të kthehemi sa më shpejt, por nuk mendojmë që ka ardhur momenti ende”, tha ai.Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët përfshinin përfaqësues të feve të krishtera dhe katolike, si edhe rabinin Kaufman, por jo të besimeve të tjera. Duke e mbyllur tryezën e rrumbullakët me një lutje, zoti Pence vlerësoi udhëheqësit fetare për forcën e tyre.

“Ju premtoj se do të vazhdojmë të respektojmë liritë fetare të çdo amerikani, derisa ta kalojmë këtë situatë dhe më tej”, tha nënpresidenti mes duartrokitjeve.Një ditë më herët, administrata e Presidentit Trump, u kritikua pasi bllokoi udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që përfshin sugjerime konkrete për rihapjen e objekteve fetare.

Në një deklaratë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se “udhëzimet për pjesën rurale të Tenesisë nuk duhet të jenë njëlloj me ato të qytetit të Nju Jorkut”./VOA

Top Channel