Miliona po kthehen në vegjetarianë prej mbylljes së therrtoreve prej koronavirusit në SHBA

08/05/2020 19:09

Një senator i lartë republikan ka paralajmëruar miliona amerikanë se do të duhet të kthehen te dietë me bazë bimore pasi pandemia e koronavirusit ka mbyllur qindra therrtore në Shtetet e Bashkuara.

Senatori i Florida, Marco Rubio tha: “Ndryshe nga zinxhire të tjera furnizimi, kjo nuk ka të bëjë me furnizim nga jashtë. Ka të bëjë vetëm me masën sesa njerëz mund të punojnë brenda këtyre fabrikave të përpunimit të mishit. Njerëzit po punojnë për ta zgjidhur por derisa ta bëjnë këtë duhet të bëhemi të gjithë pak vegjetarianë”.

Komentet e Rubio vijnë teksa pandemia e Covid-19 ka mbyllur fabrika mishi në të gjithë SHBA dhe ka shkaktuar mungesa në furnizimin e supermarketeve.

Në disa vende në SHBA blerja e mishit është racionuar,  siç ndodhi më herët me letrën higjentike apo dezinfektuesit.

Fermerët janë detyruar të vrasin kafshë të shëndosha dhe të flakin kufomat e tyre prej bllokimit të tregut.

Javën që kaloi presidenti Trump nënshkroi urdhrin që mbronte nga detyrimet therrtoret që qëndronin hapur, duke nxitur nisjen e punës në to.

Por çështja është delikate pasi fabrikat e mishit kanë qenë nga pikat më të nxehta të përhapjes së epidemisë.

Agjencia amerikane e shëndetit publik tha javës që shkoi se 5,000 punonjës të fabrikave të mishit ishin pozitiv me Covid-19 deri në 27 prill.

Kësaj jave korporata e mishit Tyson tha se në fabrikën e saj në Iowa 700 punëtorë ishin të infektuar, që llogaritet rreth 58% e forcës punëtore.

Këta punonjës detyrohen të punojnë në afërsi me njëri-tjetrin dhe nganjëherë deri në 1000 vetë janë bashkë në të njëjtën kohë në fabrikë.

Ekspertët thonë se natyra fizike e punës i lodh punonjësit e mishit duke i bërë të marrin frymë më thellë, ndërsa mbajtja e pajisjeve mbrojtëse është shumë e vështirë.

FOTO GALERI
1/4
Agjencia amerikane e shëndetit publik tha javës që shkoi se 5,000 punonjës të fabrikave të mishit ishin pozitiv me Covid-19 deri në 27 prill.

Top Channel