“Më shumë informacion mbi origjinën e koronavirusit”- Pompeo nuk i ndahet Kinës

08/05/2020 01:48

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe ata kinezë vazhdojnë polemikat mbi origjinën e koronavirusit dhe masat kundër përhapjes së tij. Pekini e akuzon Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për lojëra politike me pretendimet e tij se COVID-19 e kishte origjinën në një laborator të Wuhanit.

Ndërsa kreu i diplomacisë amerikane nuk heq dorë nga kërkesa më shumë informacion mbi origjinën e koronavirusit. Që përhapja e sëmundjes nisi në Wuhan, këtë nuk e kundërshton askush; gjithë përplasjet janë mbi mënyrën sesi ajo ndodhi. Pompeo është përballur me pyetje të shumta lidhura me komentet e tij se ekzistojnë “prova të mëdha” se origjina e virusit ishte në një laborator kinez në Wuhan.

Kjo sipas sekretarit amerikan të shtetit mund të zgjidhet shpejt, nëse “Partia Komuniste Kineze respekton detyrimet e saj ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të qenë transparente dhe e hapur, të bëjë gjërat e thjeshta që bëjnë vendet e tjera të botës, të jap siguri që pandemitë si kjo nuk do të dalin më jashtë kontrollit.”

Ndërkohë në Pekin, Ministria e Jashtme e Kinës denoncoi përsëri Sekretarin Pompeo për komentet e tij, duke e akuzuar se po merret me “lojëra të brendshme politike”, e thonë se Pompeo nuk paraqet prova sepse ato thjesht “nuk ekzistojnë”. Por ndërkohë, edhe vende të tjera po kërkojnë më shumë informacion rreth shpërthimit të virusit në Wuhan, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Australinë.

Top Channel