Mbi 33 milionë amerikanë e kanë humbur punën që nga mesi i muajit mars

08/05/2020 04:11

Në Shtetet e Bashkuara po vazhdon rritja e numrit të personave që kanë humbur punën për shkak të krizës së koronavirusit. Javën e kaluar 3.2 milionë amerikanë u regjistruan si të papunë duke kërkuar ndihmën e autoriteteve.

Që nga mesi i muajit mars, numri i përgjithshëm i personave që janë regjistruar si të papunë ka arritur në 33.3 milionë. Kjo shifër arrin në më shumë se 15% të fuqisë punëtore në SHBA.

Ekonomia amerikane u tkurr për 4,8 përqind në tremujorin e parë, dhe vlerësohet se mund të bjerë me një rekord prej 40 për qind në tremujorin e dytë (prill-qershor).

Ky nivel i rënies nuk ka ndodhur gjatë asnjë tremujori, që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në 1,231,943, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 73,573 amerikanë.

Top Channel