Facebook dhe Google, punë nga shtëpia këtë vit

08/05/2020 14:51

Gjigantët e teknologjisë, Facebook dhe Google kanë thënë se do të lejojnë punonjësit e tyre të vazhdojnë punën nga shtëpitë deri në fund të vitit.

Ata kanë njoftuar për këtë vendim, teksa kanë prezantuar planet për të rihapur zyrat, ndonëse do të lejojnë më shumë fleksibilitet të punës nga shtëpitë.

Google fillimisht pati thënë se do të zbatojë politikën e punës nga shtëpitë deri më 1 qershor, mirëpo tani e ka shtyrë atë edhe për 7 muaj tjerë. Facebook në anën tjetër pati thënë se do të rihapte zyrat më 6 korrik, teksa masat e izolimit lehtësohen gradualisht. Shefi ekzekutiv i kompanisë Google, Sundar Pichai, ka thënë se punonjësit që kanë nevojë të kthehen në zyrë, do të mund ta bëjnë këtë gjë nga muaji korrik, me masa të shtuara mbrojtëse.

Mirëpo shumica e punonjësve që mund të kryejnë punën nga shtëpitë, do të mund ta bëjnë këtë gjë deri në fund të vitit, ka shtuar ai. Ndërkohë Facebook ka thënë se është ende duke vlerësuar se cilëve punonjës do t’iu kërkohet kthimi në ambiente të punës. Ky rrjet social ka qenë një nga kompanitë e para tekonologjike që u ka kërkuar punonjësve të vet që të punojnë nga shtëpitë.

Facebook u ka dhënë madje punonjësve 1,000 dollarë shtesë për të punuar nga shtëpitë si dhe për të mbuluar shpenzimet e kujdesit ndaj fëmijëve.

Trendi i punës nga shtëpia, duket se i shkon për shtat shumë kompanive në botë, derisa të realizojnë planet e ridizajnimit të hapësirave të punës, në mënyrë që të zbatohen udhëzimet për distancim fizik.

Top Channel