Dëshpërimi nga Covid-19 rrezikon mijëra jetë amerikanësh

08/05/2020 12:41

Rreth 75 mijë amerikanë mund të humbasin jetën si pasojë e abuzimit me drogën dhe alkoolin apo edhe duke u vetëvrarë si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

Në këtë përfundim ka dalë një analizë e kryer nga grupi kombëtar për shëndetin publik, Well Being Trust. Grupi po i bie alarmit se numri në rritje i të papunëve, rënia ekonomike dhe stresi i shkaktuar nga izolimi, si edhe mungesa e një date për fundin e pandemisë, mund të rrisë ndjeshëm të ashtuquajturat vdekje nga dëshpërimi, nëse autoritetet lokale dhe federale nuk do të ndërhyjnë.

Të dhënat sidoqoftë, janë vetëm parashikime dhe ekspertët thonë se nëse ndërmerren veprimet e duhura atëherë situata mund të ndryshojë. Edhe në kriza të mëparshme, si për shembull recesioni i 2008, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vdekjet nga vetëvrasjet apo abuzimet me drogën u rritën ndjeshëm. Papunësia shkoi nga 4.6 përqind në 2007, në 10 përqind në tetor të 2009 dhe ra në mënyrë të vazhdueshme deri në 3.5 përqind në fillim të 2010.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që më shumë se 30 milionë amerikanë të plotësojnë dokumentet për pagesë papunësie dhe ekonomia është gjunjëzuar si pasojë e izolimit dhe masave të tjera të marrë në shumë shtete.  Për këtë arsye, po shtohet gjithnjë e më shumë presioni për rihapjen e ekonomisë pavarësisht se bilancet e koronavirusit janë shumë të zymta në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel