Të sëmurë në Lojërat në Wuhan/ 10 mijë atletë nga bota në tetor, 5 nga Shqipëria- Dëshmia e italianëve

07/05/2020 15:17

Të konceptuara që në 1995-ën dhe të organizuara çdo katër vite, për Lojërat Botërore Ushtarake rrallë flitet në media, përfshirë ato sportive.

Por, edicioni i shtatë, ai që u mbajt nga 18 deri në 27 tetorin e shkuar, me 10 mijë atletë nga 110 vende, që garuan në 28 disiplina sportive, rrezikon të kalojë në histori. Lojërat u mbajtën pikërisht në Wuhan, kryeqytetin kinez të provincës Hubei, ku pak javë më vonë nisi përhapja në të gjithë planetin e koronavirusit. Fakti se kishte një përqendrim të madh atletësh dhe personeli mbështetës në qytet, në mungesë të masave mbrojtëse nga infektimi, kthimi pa karantinim i atleteve në vendet e tyre mund të ketë përhapur epideminë, edhe pse për këtë, është folur pak, edhe pse kinezët, në mars, kishin akuzuar SHBA se kishin infektuar qytetin e tyre pikërisht në këtë rast.

Por, këto kohë, shkruan e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, po dalin dëshmi për atletë të pranishëm në kinë, që kur janë kthyer në evropë, në ditët e para të nëntorit, kur virusi ishte gati të shpërthente në Wuhan, kanë patur temperaturë të lartë dhe probleme me frymëmarrjen. Nëse do të konfirmohej se ata ishin prekur nga koronavirusi, këto do të ishin rastet e para në kontinentin e vjetër. Për momentin, autoritetet ushtarake në shumë vende nuk kanë dhënë komente, përvec Suedisë, që të enjten tha se kishte certifikuar edhe dy raste të tjera koronavirusi mes atletëve të saj. Ndër to, Maatje Benassi, një rezerviste që jeton në Amerikë, 52 vjec, që në Wuhan kishte garuar në ciklizëm.

Sipas një teorie në rrjet, ajo mund të jetë pacientja 0 që ka sjellë virusin në SHBA dhe autoritetet amerikane e kanë mbuluar rastin për t’ia hedhur fajin kinezëve. Por Pentagoni nuk ka bërë komente. Sipas një hetimi të të përditshmes franceze, L’Equipe, të paktën dy atletë që përfaqësuan vendin në lojërat në Wuhan, kanë patur probleme serioze me frymëmarrjen dhe një mjek ushtarak i ka diagnostikuar si simptoma të dukshme të koronavirusit. Edhe atje autoritetet kanë mohuar gjithcka. Ndërsa në Itali, “Gazzetta dello Sport”, të enjten, ka sjellë dëshminë e Matteo Tagliariol, një nga 170 përfaqësuesit e Italisë në Lojërat Ushtarake që thotë se kur mbërritën në Wuhan, thuajse të gjithë u sëmurën. Por më e keqja erdhi në rikthimin në shtëpi, me temperaturë të lartë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Dhe sëmundja nuk kalonte as me antibiotikë dhe janë shëruar vetëm pas tre javësh. Në një kërkim të thjeshtë në internet, mëson se edhe Shqipëria është përfaqësuar në këto lojra me pesë atletë e madje edhe me një medalje bronzi të fituar atje.

Top Channel