Fiks Fare/ Shkarkohet drejtori që “shiti shkollën” e dëmtuar nga tërmeti: Nuk e di si përmenda lekë…

07/05/2020 21:04

Drejtori i Shkollës 9-vjeçare “”Hillary Clinton ” në Kamzë, Hysen Koldashi, është shkarkuar nga detyra disa ditë pas transmetimit të investigimit të Fiks Fare, ku ai bënte pazare për të shitur materiale nga shkolla e dëmtuar nga tërmeti. Ai bënte pazare për të shitur tulla, pllaka shtrimi, pjesë mermeri si edhe tjegulla. Për të gjitha kishte edhe një çmim përkatës, ku bënte ulje nga çmimet e tregut. Gazetarët e Fiksit faktuan se shitja bëhej në të zezë, pasi Bashkia e Kamzës nuk kishte bërë ndonjë tender për të shitur këto pjesë. “Nuk kemi bërë tender për shitje, kushtonin shumë pak” tha kryetari i Bashkisë Së kamzës, Rakip Suli.

Ndërkohë, një ditë pas transmetimit të këtij investigimi, Bashkia e Kamzës, ka hapur një tender me objekt “transport të mbetjeve inerte të shkaktuara nga shembja e objekteve shkollore të dëmtuara nga tërmeti”. Dhe, në vend që të përfitonte nga materialet që gjendeshin në këto shkolla, bashkia do të paguajë plot 44 milionë lekë të vjetra për të hequr keto inerte në disa shkolla, ndër to edhe shkolla “Hillary Clinton”.

Nga ana tjetër, bazuar në investigimin e Fiks Fare, policia dhe prokuroria filluan hetimet ndaj drejtorit dhe disa punonjësve të Bashkisë Kamzë. Është bërë këqyrja e shkollës së re dhe janë marrë në pyetje peesonazhet kryesorë. Ndërkohe, Fiks Fare u interesua pranë Ministrisë së Arsimit, ku mori përgjigje se janë marrë masa ndaj drejtorit.

“Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar, Durrës, u njoh me problematikën e trajtuar në emisionin investigativ Fiks Fare, në lidhje me situatën e krijuar në shkollen 9-vjecare “Hillary Clinton”, Kamëz, ku drejtori i shkollës komunikonte me persona te ndryshëm për shitjen e disa materialeve të godinës së dëmtuar nga tërmeti. Menjëherë kontaktuam me Zyrën Arsimore Vendore Kamëz për një informacion më të detajuar për këtë rast. Pas vlerësimit me seriozitet të situatës, DRAP Durrës konkludoi se drejtori i institucionit publik arsimor parauniversitar “Hillary Clinton”, z.Hysen Koldashi ka vepruar në shkelje flagrante me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe për këtë arsye mori vendimin ‘për shkarkim nga detyra’ të drejtorit të këtij institucioni” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, vetë drejtori, z.Koldashi, kontaktoi me redaksinë e emisionit “Fiks Fare” duke kërkuar që të shpjegonte personalisht shitjen e këtyre materialeve. Ai tha se bordi i shkollës ka dërguar në godinën e re disa materiale si dërrasa të zeza, stola hekuri, kosha mbeturinash, piktura, kompjutera dhe sende të tjera. Gazetarët e pyetën se investigimi kishte të bëne me materiale si tulla, tjegulla, pllaka, etj, ndërsa ai tha se “nuk kam përfituar asnjë gjë”. Drejtori, tashmë i shkarkuar, e pranoi se ka bërë biseda për shuma lekësh, por tha se “nuk e di si kam përmendur lekë”. Edhe ai, ashtu si Bashkia Kamzë, tha se për këto materiale nuk ka pasur një tender për shitje, ndërsa nuk kishte një përgjigje se përse kishte bërë pazare për të shitur këto objekte. Ai ishte i paqartë edhe për shumën prej 1 milionë lekësh që përmendi për vlerën e këtyre materialeve, ndërsa “nuk e mbante mend” përse e kishte thënë.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA