Djemtë e El Chapo vendosin shtetrrethimin e koronavirusit në qytetin e kontrolluar prej tyre

07/05/2020 22:23

Dy nga djemtë e ish-kreut të kartelave të drogës, El Chapo, po zbatojnë sipas rregullave të tyre shtetrrethmin e koronavirusit në qytetin e kontrolluar prej tyre.

Iván Archivaldo Guzmán e Jesús Alfredo Guzmán kanë kërcënuar se të gjithë ata që nuk i binden kufizimeve do të arrestohen ose gjobiten, raportonte e përditshmja lokale “Yucatan Times”.

Ndërkohë Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán është duke kryer dënimin me burgim të përjetshëm në burgun ADX Florence, një burg në Colorado i quajtur ndryshe ‘Alcatrazi i shkëmbinjve’.

“Kjo nuk është lojë, askush të mos e marrë me shaka,” tha një zëdhënës i kartelit Sinaloa në një nga videot e tyre që po qarkullojnë tashmë në rrjetet sociale.

“Pas orës dhjetë njerëzit duhet të jenë në shtëpitë e tyre, përndryshe do të dënohen, këto janë urdhra nga lart (nga ‘Los Chapitos’),” thuhej në video, duke iu referuar dy vëllezërve.

Ata njihen tashmë si ‘Los Chapitos’ ose ndryshe ‘Chapo-t e vegjël’, dhe besohet se po drejtojnë kartelin famëkeq të babait.
Yucatan Times shkruajnë se anëtarët e kartelit patrullojnë qytetin Culiacán, qendrën e shtetit meksikan Sinaloa, me mjete të blinduara për të vendosur shtetrrethimin.

El Chapo është ekstraduar në SHBA në 2017 pasi u kap në vitin 2016 nga autoritetet vendase. Ai ishte arrestuar më parë në 2014 por u arratis nga një tunel poshtë qelisë së tij, para se të kapej përsëri dy vjet më vonë.

FOTO GALERI
1/5
Iván Archivaldo Guzmán

Top Channel