Pyetje 1 milion dollarëshe: Kur do të nisë turizmi në Greqi?

05/05/2020 16:22

Për vende si Greqia, ku turizmi përbën afro një të tretën e ekonomisë së vendit, mbyllja e hoteleve, bllokimi i udhëtimeve turistike këtë vit për shkak të Coronës do të ishte një goditje e rëndë.

Ky vend i trembet humbjes se mijëra vendeve të punës në këtë sektor. Prandaj qeveria greke po merr masa që megjithë kushtet e Coronës të mundësojë turizmin gjatë verës. Nga qershori planifikohet hapja me disa faza e hoteleve. Disa hotele kanë filluar përgatitjet, por edhe kafenetë e plazheve.

Këto të fundit kanë filluar të vendosin xhama ndarës pleksiglas mes shezlloneve të plazhit. Por, shumëkush mbetet skeptik dhe mendon se turizmi në greqi, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës, ndodhet para krizës më të madhe të një gjenerate të tërë. Temperaturat janë rritur aktualisht në Greqi, 25 gradë, sezoni duhej të fillonte me mijëra pushues nga Anglia apo Gjermania.

Por plazhet në Korfuz janë bosh. Në ishujt grekë nuk mund të udhëtojë askush, që nuk e ka vendin kryesor të banimit aty. Qytetarët grekë me gjasa do mund të udhëtojnë në ishuj nga qershori, por turizmi në ishull jeton nga pushuesit e huaj. Por kur do të vijnë ata? Ministri i Turizmit, Charis Theocharis thotë:

“Kjo është pyetja 1 milion dollarë.”

Sipas tij “nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga të gjithë vendet e tjera, se si veprojnë ato me krizën. Por objektivi ynë është që dikur në korrik të hapim turizmin.”

Zyrtarët shpresojnë që vendet e BE do të bien dakord për rregulla të përbashkëta për hapjen e kufijve. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë greqia mund të bëjë marrëveshje dypalëshe me vende të caktuara për të lejuar udhëtimin e turistëve. Por ende ka shumë pikëpyetje dhe pasiguri.

Top Channel