Nju Jork/ Temperaturë e vazhdueshme- në spital edhe fëmijë, shfaqën inflamacione

05/05/2020 16:30

15 fëmijë në qytetin e Nju Jorkut janë shtruar në spital me simptoma që tregojnë një sindromë inflamatore shumësistemëshe të lidhur me koronavirusin, sipas një alarmi të lëshuar nga departamenti i shëndetësisë të këtij qyteti.

Pacientët janë të moshave nga 2 deri në 15 vjeç dhe janë shtruar në spital nga 17 prilli deri më 1 maj. Disa prej tyre kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 ose në testet e antitrupave. Pacientët kanë përjetuar temperaturë të vazhdueshme dhe simptoma të tjera të ngjashme me sëmundjen Kavasaki.

Kjo e fundit shkakton inflamacion të mureve të arterieve dhe mund të kufizojë sasinë e gjakut që mbërrin në zemër. Është zakonisht e trajtueshme dhe pjesa më e madhe e fëmijëve e marrin veten pa probleme serioze, por mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Të paktën pesë prej rasteve janë vënë në ventilator.

Mjekët në Britaninë e Madhe kanë paralajmëruar më herët për një numër fëmijësh të prekur nga kjo sindromë e rrallë që mund të lidhet me koronavirusin dhe raste janë regjistruar edhe në Itali dhe Spanjë.

Top Channel