Kjo fundjavë duhej të ishte e Çmimit të Madh të Holandës në Botërorin e Formula 1, një garë që kthehej në këtë kampionat pas 35 vitesh, por për shkak të pandemisë coronavirus kjo ndalesë u shty.
Megjithatë pati pilotë që mundën të ndjejnë për një moment atmosferën në pistën e Zandvoort duke edhe e perovuiar atë dhe bëhet fjalë për dy pilotët e Red Bull Max Verstappen dhe Alex Albon.
Dy pilotët e Red Bull në fakt e kryen këtë lloj inspketimi në muajin janar të këtij viti përpara se të merreshin masat kufizuese për të frenuar përhapjen e Covid-19 me Verstappen dhe Albon që përshkuan disa lokalitete ikonë në Holandë.
Kjo aventurë e Albon dhe Verstappen që do të zhvillonte garën e parë të shtëpisë së tij po të mos ishte pandemia, nisi në molin e Roterdamit teksa ata xhiruan mes kontenierëve të molit.
Udhëtimi i tyre vijoi në rrugët e Hagës dhe në shumë zona të tjera që e dallojnë Holandën nga vendet e tjera, ndërkohë që kulmi ishte përshkimi i pistës ku do të zhvillohej gara e Formula 1 me pilotët që arritën ta testojnë në një farë mënyre atë.
Botërori i Formula 1 ka parë që t’i anulohen apo shtyhen 10 garat e para të tij. për momentin ende nuk ka një kalendar të përpiluar, por sipas shefit të Liberty Media, Chase Carey, synimi është që ky kampionat të nisë në 5 korrik me Cmimin e Madh të Austrisë.
Top Channel