Bashkë për t’i shpëtuar virusit/ Johnson: Zbulimi i vaksinës, përpjekja më e ngutshme e jetës sonë

04/05/2020 11:09

Në një konferencë të sotme ndërkombëtare, kryeministri britanik Boris Johnson pritet të thotë se zbulimi i një vaksine Covid-19 është “përpjekja më e ngutshme e përbashkët e jetës sonë”.

Mbretëria e Bashkuar është aktualisht dhuruesi më i madh global në përpjekjet për të gjetur një vaksinë, duke premtuar 388 milion £ (483 milion dollarë) për kërkime, sipas një njoftimi të Downing Street.

“Për të fituar këtë betejë, ne duhet të punojmë së bashku me qëllim ndërtimin e një mburoje të padepërtueshme për të gjithë njerëzit tanë, dhe kjo mund të arrihet vetëm duke zhvilluar dhe prodhuar në masë një vaksinë,” do të deklarojë Johnson. “Është njerëzimi kundër virusit – ne jemi bashkë në të gjithën këtë situatë, dhe së bashku do të mbizotërojmë.”

Konferenca virtuale synon të mbledhë 8 miliardë dollarë dhe po bashkëorganizohet nga Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Norvegjia, Arabia Saudite dhe Komisioni Evropian.

Paratë e Britanisë së Madhe të alokuara për financimin e një vaksine janë pjesë e një fondi më të madh me vlerë 744 milion £ (926 milion dollarë) për “të ndihmuar në përfundimin e pandemisë dhe të mbështesin ekonominë globale”, thuhet gjithashtu në njoftim.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka premtuar afërsisht 330 milion £ (411 milion dollarë) çdo vit gjatë pesë viteve të ardhshme për Gavi-n, organizata ndërkombëtare e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates, e cila përmirëson mundësinë e përdorimit të vaksinave për fëmijët në vendet më të varfra në botë.

Top Channel