Liverpool përgatitet për një verë pa blerje të reja në merkaton e transferimeve.
Ky është lajmi që po qarkullon në orët e fundit në median britanike sipas së cilës, impakti negativ i pandemisë koronavirus në financa do të pengojë klubet të bëjnë investime të mëdha kështu që klubi i “The Reds” ka vendosur të zgjedhë opsionin që të mos ndërhyjë në merkato për t’u përforcuar.
Tabloidi britanik “Daily Mail” thekson se rënia e nivelit të të ardhurave është faktori kryesor që skuadra e Jurgen Klopp të vendosë të mos kryejë asnjë operacion për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur shpenzimet. Sipas tabloidit tjetër “Mirror”, Liverpool në kushte normale do të tentonte blerjen e Timo Werner nga Leipzig dhe Houssem Aouar të Lyonit, një tentativë që nuk do ta bëjë pikërisht për shkak të Covid-19.
Përllogaritet se klubet në Premier League nëse kampionati do të përfundojë rregullisht do të sigurojnë të ardhurat nga të drejtat televizive, por sërish do të kenë rënie të shifrës totale të këtij zëri pasi nuk do të përfitojnë nga shitjet e biletave duke qenë se ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Liverpooli, në përgjithësi rezulton një klub me financa të shëndosha, por situata e krijuar i shtyn drejtuesit e tij të tregohen të kujdesshëm. Për më tepër ‘The Reds’ mendohet se e kanë të plotësuar skuadrën për të vijuar luftën për trofe në sezonin që do të vijë.
Top Channel