Presidenti nigerian emëron të vdekurin në postin kyç të administratës

01/05/2020 18:03

Presidenti i Nigerisë mbeti pak i sikletosur dje kur shpalli emërimin në një post kyç të administratës, një njeri që kishte vdekur dy muaj më parë.

Presidenti 77 vjeçar Muhammadu Buhari, ka emëruar më parë edhe pesë herë të tjera njerëz të vdekur në krye të agjencive qeveritare, që do të thotë se kjo ishte hera e gjashtë që e bën këtë.

Buhari – i cili njihet ndryshe në vend si “Baba Go Slow” (Baba ngadalë-ngadalë) emëroi Tobias Chukwuemeka Okwuru në krye të një agjencie federale, megjithse varrimi i tij ishte bërë në shkurt.

Aplikimet për postin u rihapën kur gazetarët vunë re gabimin.

Ndihmësat e presidentit dolën menjëherë në ndihmë të tij duke thënë se gabimi kishte ndodhur si rezultat i kërkimeve të gjata për kandidatin e përshtatshëm.

Por edhe në vitin 2017 ai kishte emëruar Francis Okpozo, i vdekur prej më shumë se një viti asokohe, në krye të komisionit të mediave.

Nofkën e tij president Buhari e ka marrë prej faktit se iu deshën gjashtë muaj për të emëruar kabinetin e tij të parë në 2015.
Në vitin 2018 ai u detyrua të mohonte thashethemet për vdekjen e tij dhe spekulimet se po zëvendësohej nga një sozi me emrin Jubril.
Më parë ai ka qenë sunduesi ushtarak i Nigerisë për dy vjet nga 1983 deri në 1985, pasi udhëhoqi grushtin ushtarak të shtetit, dhe ka thënë se rendi demokratik i vendosur në vend e ka bërë më të ngadaltë.

Ai thoshte: “Nuk është Baba që është i ngadaltë, por është sistemi i ri”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA