Një sondazh i ri thoshte sot se dy të tretat e britanikëve i tremben grumbullimeve të mëdha të njerëzve si evente sportive apo muzikore, edhe pas heqjes së kufizimeve të koronavirusit.
Analistët thonin se mesazhi i qeverisë për të qëndruar në shtëpi ka funksionuar pasi në kontrast me periudhën para bllokadës, vetëm një në gjashtë qytetarë të anketuar thanë se ndjehen mirë në grumbullime të tilla njerëzish.
Sondazhi i grupit IPSOS Mori tregonte se britanikët nuk ndjehen mirë në grumbullime të mëdha njerëzish, qoftë dhe në ambjente të hapura. Kjo ndiqej më pas nga njëfarë frike dhe për transportin publik, baret e restorantet.
Ata do të ndjeheshin më pak të shqetësuar në takimet me miqtë e familjarët pas heqjes së kufizimeve, por ishin të ndarë në dy grupe të barabarta në lidhje me dërgimin e fëmijëve në shkollë.
48 përqind thanë se ishin të shqetësuar për këtë, ndërsa 41 përqind thanë se nuk i shqetësonte.
Keiran Pedley, drejtues kërkimor në Ipsos MORI tha: “Publiku mezi pret të takohet me familjarët personalisht, dhe shumica dërmuese nuk kanë probleme me këtë”.
“Por duket qartë që ka shenja shqetësimi për heqjen e kufizimeve dhe pasojat. Veçanërisht shumica e britanikëve ishin nervozë për përdorimin e transportit publik, baret e restorantet, eventet sportive apo ato të muzikës ‘live’”, tha ai.
Kryeministri Boris Johnson ka premtuar planin e lehtësimit të masave të koronavirusit javën që vjen.
Top Channel