Italia drejt kthimit në normalitet/ Në këtë datë hapen aeroportet në Romë dhe Firenze

01/05/2020 16:58

Me kërkesë të ENAC, Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Paola De Micheli ka nënshkruar, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Roberto Speranza, marrëveshjen që  autorizon rihapjen për publikun të dy aeroporteve, atë të Ciampino në Romë dhe aeroportin e Firences, Peretola.

Lajmi është publikuar nga mediat italiane ku njoftojnë se këto aeroporte do të hapen më 4 maj, në një kohë ku në Itali nis faza e dytë e pandemisë Covid-19.

Kujtojmë se aeroportet në Itali u mbyllën me 13 mars, ndërsa për aeroportet në rajonin e Siçilisë dhe Sardenjës dekreti i mbylljes do të jetë deri më 17 maj, më pas do të rihapen.

Po kështu në ditët në vijim në Itali po mendohet që të hapen edhe aeroportet e tjera, përveç tyre edhe linjat hekurudhore. Në të njëjtën kohë po punohet për planet e sigurisë dhe të ruajtjes së shëndetit të njerëzve që do të mund të përdorin këto shërbime.

Top Channel