Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, të bërë publik sot lidhur me mandatarin për kryeministër të ri të Kosovës.
Kjo u dorëzua sot në orën 17:00 ndërkohë që nesër është ditë pushimi e pasuar pastaj edhe me vikend. Andaj, nuk dihet se a do të mund t’a shqyrtojnë Kushtetuesja këtë kërkesë para ditës së hënë.
Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se presidenti e ka shkelur Kushtetutën.
“Me këtë dekret vlerësojmë që presidenti ka vazhduar të shkelë Kushtetutën, dhe si të tillë e kemi sjellur këtu në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Jo rastësisht në këtë kohë, kur po përfundon java e punës, kur dihet që nesër është festë zyrtare dhe pastaj pason edhe vikendi, presidenti është kujdesur bashkë me bashkëpunëtorët e tij të cilët po ia kërkojnë këtë dekret, që qoftë Gjykatën Kushtetuese, qoftë administratën ta zëjë të pushuar si pasojë e festës zyrtare dhe vikendit. Natyrisht që ne nuk na zë në gjumë as kjo, dhe për këtë deklarojmë që ata po mundohen ta shfrytëzojmë këtë situatë duke e ditur që po e shkelin Kushtetutën”, tha Selimi
Ndërkohë që Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë për votimin e qeverisë këtë të shtunë, Selimi i pyetur se çfarë veprime do të ndërmarrin tha që e presin një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur pastaj se çfarë hapa do të ndërmarrin tutje.
E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se do të shohin fillimisht kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, dhe shpejtë do të vendosin për hapat e mëtejmë.
“Kemi parë përzierjen e vazhdueshme të presidenti duke ndikuar të partitë politik dhe në anën tjetër duke anashkaluar tërësisht fituesin e zgjedhjeve. Këto veprime janë të bëra me parandiem për një kohë të gjatë, ajo që bie në sy menjëherë sot është se presidenti jashtë Kushtetutës e ka anashkaluar tërësisht nenin 82 duke u thirrur vetëm në nenin 95”, tha ajo.
Presidenti Hashim Thaçi sot pasdite ka bërë publik dekretin me të cilin mandatohet Avudullah Hoti i LDK-së për kryeministër të ri të Kosovës.
Top Channel