Kufizimet e koronavirusit/ Ditën e Fitores, Rusia do të mbajë vetëm paradë ajrore

30/04/2020 21:15

Në përkujtim të 75-vjetorit të Ditës së Fitores, Rusia do të mbajë vetëm paradë aviacioni dhe do të ketë fishekzjarre në qytetet kryesore, njoftonte presidenti Vladimir Putin, i cituar nga mediat vendase.

“Duke u përshtatur me kërkesat e sigurisë dhe të vetë-izolimit, ne do të festojmë ditën tonë të shenjtë, Ditën e Fitores. Megjithë situatën ku ndodhemi, më 9 maj do të ketë një paradë ajrore të avionëve e helikopterëve ushtarakë, ndërsa në darkë do të ketë fishekzjarre në qytetet kryesore ruse”, premtoi Putin.

Më tej presidenti shtoi se parada tradicionale ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë do të zhvillohet pas përmirësmit të situatës epidemiologjike në vend.

Ndërkohë pushimet e detyruara në Rusi janë zgjatur deri në 11 maj. Putin ka instruktuar agjencinë e fuqishme të mirëqenies dhe mbrojtjes së konsumatorit Rospotrebnadzor, të hartojë strategjnë e heqjes graduale të karantinës nga 5 maji.

Dje Rusia konfirmoi 6,411 raste të reja me COVID-19. Vendi ka një total vdekjesh prej 867 nga pandemia.

Ndërsa Bjellorusia do të mbajë një paradë të plotë ushtarake më 9 maj, pasi presidenti Alexander Lukashenko ka refuzuar të vendosë kufizime prej COVID-19.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel