Zvicër/ Fëmijët mund të përqafojnë sërish gjyshërit

29/04/2020 14:37

Autoritetet zvicerane kanë thënë se tani është e sigurt që fëmijët nën moshën 10-vjeçare mund të përqafojnë gjyshërit e tyre, në kohën e pandemisë me koronavirus.

Shefi për Sëmundje Infektuese në Ministrinë e Shëndetësisë, Daniel Koch, ka thënë se shkencëtarët kanë vërtetuar që fëmijët e vegjël nuk bartin virusin.

Megjithatë, ai ka thënë se takimet mes tyre duhet të jenë të shkurtra.

“Fëmijët e vegjël nuk infektohen dhe nuk e bartin virusin. Ata nuk kanë receptorë për të marrë sëmundjen”, ka thënë ai.

Koch ka thënë edhe se shumë gjyshër “jetojnë për të parë nipat dhe mbesat” dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për shëndetin e tyre mendor.

Zvicra është një prej dhjetëra vendeve në Evropë që kanë filluar të lehtësojnë masat e tyre të izolimit.

Këtë javë janë lejuar që të hapen kopshtet dhe parukeritë, derisa shkollat dhe dyqanet tjera që shesin produkte jo të domosdoshme do të mund të rihapen në dy javë.

Top Channel