Rindërtohet banesa e familjes Aluku në Kashar, u dëmtua nga tërmeti

29/04/2020 14:39

Katër muaj më parë, gjatë një inspektimi me kryeministrin Edi Rama në zonat e prekura nga tërmeti në Kashar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i premtoi Besnik Alukut rindërtimin e banesës. Sot, të shtatë anëtarët e familjes së Besnikut i gëzohen shtëpisë së re, e cila është rindërtuar në kohë rekord, shumë herë më e mirë se banesa e mëparshme.

Kryebashkiaku ishte në pikërisht në familjen Aluku për t’i dorëzuar çelësat e banesës së re, prej ku siguroi se është vetëm çështje që të përfundojë rindërtimi edhe i banesave të tjera. “Ndihem shumë mirë sot, Besnik, që u fute në shtëpinë e re. E mbaj mend atë ditë kur u takuam, ishte edhe kryeministri, kurse ti kishe shumë pak besim.

Në fakt, natyra njerëzore është e tillë, po nuk e pa me sytë e tij, nuk e beson. Jemi në muajin e Ramazanit dhe jam i lumtur që sot futesh në shtëpinë e re. Mesazhi që duhet të japim është se shtëpitë do t’i bëjmë të gjitha, por me radhë. Pra, fillimisht, ju që u prekët në shtator, pastaj djali dhe 870 familjet e tjera që u prekën në nëntor, të cilat do t’i fillojmë shumë shpejt”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se për çdo shtëpi të dëmtuar ka edhe një dosje të plotë. Ai siguroi se banesat më të dëmtuara do të rindërtohen nga e para, ndërsa për ato me dëme më të lehta, do të bëhen riparimet e nevojshme. “Kryeministri e ka lënë porosi, që të ecim shumë shpejt me shtëpitë e reja, edhe për shtëpitë që u prekën nga tërmeti i dytë. Për secilën ka një dosje, për secilën dosje ka një çmim. Për dosjet që shtëpia u prishet dhe bëhet nga e para, do të bëhet me brigadë ndërtimi. Për ata që kanë vetëm probleme të thjeshta, që mund të bëhen me pak riparime, do marrin pagat dhe do të bëjnë riparimet”, u shpreh Veliaj.

Ndonëse paguajnë të gjitha detyrimet ndaj shtetit, ishin të shumta ato biznese të cilat iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar në rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Duke i falenderuar për përgjegjësinë sociale të treguar në këtë periudhë, ai tha se pjesa më e madhe e bizneseve në këtë kohë të jashtëzakonshme ka kërkuar që të kontribuojë.

Pas tërmetit të shtatorit që i dëmtoi rëndë banesën, familja Aluku u sistemua përkohësisht nga Bashkia e Tiranës në një çadër, ndërkohë që iu dhanë edhe ndihma. Paralelisht nisi menjëherë edhe puna për përgatitjen e dosjes për rindërtimin e banesës.

Top Channel