Ndahet nga jeta Hoxhë Faik Gurra, babai i ish-myftiut të Tiranës Ylli Gurra

29/04/2020 13:33

Është ndarë nga jeta Hoxhë Faik Gurra, babai i ish-myftiut të Tiranës Ylli Gurra.

Gurra për gati 30 vitesh ka shërbyer si Hoxhë në Dragostunje të Librazhdit, ndërsa në vitet 2000 ka shërbyer si nën/myfti i rrethit Librazhd.

Hoxhë Faik Gurra iu përkushtua ringritjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që ditën e parë të lirisë së besimit, duke marrë pjesë me një rol aktiv në Mbledhjen e parë themeluese, më 14 shkurt 1991, në Tiranë krah Kryemyftiut të Shqipërisë Haxhi Hafiz Sabri Koçi.

Në vitin 2016, hoxhë Faik Gurra u vizitua në xhaminë e Dragostunjës nga ambasadori amerikan Donald Lu, si shenjë mirënjohje e vlerësimi për shërbimin ndaj fesë dhe Atdheut.

Për lajmin në fjalë ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Postimi i Taulant Ballës

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”. Me këto fjalë të Kuranit të shenjtë, po ndaj me ju lajmin e ndarjes nga jeta të Hoxhë Faik Gurrës, i cili drejtoi prej vitesh Xhaminë e Dragostunjës, por edhe shumë vite si Nën/Myfti i Librazhdit.

Hoxhë Faik Gurra iu përkushtua ringritjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që ditën e parë të lirisë së besimit, duke marrë pjesë me një rol aktiv në Mbledhjen e parë themeluese, më 14 shkurt 1991, në Tiranë krah Kryemyftiut të Shqipërisë Haxhi Hafiz Sabri Koçi.

Hoxhë Faik Gurrën, me të cilin si deputet i Librazhdit dhe mik i familjes, kam patur mundësinë të njihem nga afër, do ta kujtoj gjithmonë për peshën e rëndë të fjalëve, qetësinë, përkushtimin, kujdesin ndaj nevojtarëve, duke mos harruar kurrë tu mësojë besmitarëve vlerat më të larta të atdhedashurisë dhe kontributit pozitiv në shoqëri. Bashkë me Ambasadorin e SHBA në Shqipëri zotin Donald Lu në Janar të vitit 2016 u ulëm këmbëkryq rreth oxhakut në shtëpinë e Hoxhë Faikut, në një bashkëbisedim mbi vlerat dhe rolin e besimit islam në bashkëjetesën fetare, duke vlerësuar sëbashku kontributin e Hoxhë Gurrës në ringritjen e Xhamisë së Dragostunjës.

Hoxhë Faik Gurra është babai i një prej drejtuesve më të respektuar të Komunitetit Mysliman Shqiptar zotit Ylli Gurra.

Dua t’i shpreh Yllit, familjes dhe gjithë Dragostunjës, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Hoxhë Faikut.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel