Gazeta çeke: Rusia kërkon të eliminojë kryebashkiakun e Pragës!

29/04/2020 11:01

Sipas të përjavshmes çeke “Respekt” në fillim të prillit një diplomat rus që kishte arritur në Çeki përmes aeroportit të Pragës kishte në bagazhin e tij substancën jashtëzakonisht toksike rizin.

Më tej gazeta njofton edhe se kryebashkiaku i Pragës, Zdeněk Hřib, dhe dy kolegë të tij janë nën mbrojtjen e policisë. Në intervistë për DW, Zdeněk Hřib konfirmon se ai dhe dy kolegët e tij janë nën mbrojtjen e policisë që prej Pashkëve. “Unë e shoh rrezikun si real,” – tha ai duke shtua se nuk i lejohet të japë publikisht detaje të mëtejshme.Megjithëse Hřib dhe kolegët e tij nuk lejohen të komentojnë asnjë detaj, arsyeja e mbrojtjes nga policia është e qartë: bëhet fjalë për gjeste kritike nga Hřib dhe kolegët e tij kundrejt Rusisë.

Më 27 shkurt, përvjetori i pestë i vrasjes së ish-zëvendëskryeministrit rus, opozitarit liberal Boris Nemzov, Hřib ia ndryshoi emrin Sheshit të Pragës, ku ndodhet edhe ambasada ruse, në Sheshi Boris Nemzov. Në fillim të muajit prill sakaq, kryetari i komunës VI të Pragës, Ondřej Kolář, dha urdhër që statuja e marshallit sovjetik Ivan Konev të çmontohej nga sheshi ku gjendej dhe të transferohej në një depo – për t’u vendosur më vonë në një muze të ri të historisë. Rreth marshallit sovjetik Ivan Konev në Republikën Çeke ka prej shumë vitesh mjaft polemika.

Nga njëra anë, ai konsiderohet si “çliruesi i Pragës” në fund të Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër, akuzohet për hakmarrje ndaj mijëra qytetarëve çekë që ishin kritikë ndaj Bashkimit Sovjetik, si dhe për rolin e tij drejtues në shtypjen e revolucionit hungarez në vitin 1956. Politologu Jakub Janda nga Qendra Evropiane për Vlerat e Politikës së Sigurisë në Pragë e konsideron kërcënimin për kryebashkiakun si “të besueshëm” dhe thotë se “ne po shohim përshkallëzimin më agresiv në marrëdhëniet bilaterale me Rusinë që prej tre dekadave të fundit”.

Top Channel