Franca paraqet planin e kujdesshëm të zbutjes së kufizimeve

29/04/2020 22:41

Pas 11 majit, jeta publike në Francë pritet të fillojë përsëri shumë ngadalë. Por kryeministri Edouard Philippe paralajmëron se do t’i vonojë lehtësimet, po të rritet përsëri numri i infektimeve.

“Po nuk arritëm të ndërpresim zinxhirin e infektimeve, ne duhet t’i ashpërsojmë rregullat përsëri,” paralajmëroi Kryeministri Edouard Philippe në fjalimin e tij njëorësh për detajet e zbutjes së karantinës në Francë. Ky ishte një zhgënjim tjetër për shumicën e francezëve, të cilët, pas gjashtë javësh izolim të rreptë, po e humbasin dëshirën për t’iu bindur më rregullave. Sondazhet e fundit tregojnë se mbi gjysma e tyre janë lodhur nga kufizimet e ashpra.

Philippe sqaroi më tej të mërkurën (29.04.) se masat do të lehtësohen në 11 maj po të bjerë nën 3000 në ditë shifra e infektimeve të reja. Po të jenë jo pozitivë treguesit, zbutja e masave në 11 maj nuk do të ndodhë.

Rregulla teknokratike

Me më shumë se 23.000 raste të vdekjeve në vend dhe përvoja deziluzionuese me punën e sistemit francez të kujdesit shëndetësor, qeveria në Paris po kërkon një lehtësim në hapa të vegjël. Shkollat ​​do të hapen gradualisht – së pari për më të vegjlit, pastaj në qershor ndoshta do të hapen edhe shkollat e mesme.

Nga mesi i majit, duhet të kthehen në punë francezët që nuk mund ta kryejnë punën e tyre nga shtëpia. Megjithëse ende rekomandohet puna në shtëpi, në mënyrë që të lehtësohet edhe transporti publik. Metroja e Parisit do të funksionojë me 70 përqind të kapacitetit të saj. Meqenëse në vagone duhet të mbahet distancë, ajo do të jetë në gjendje të transportojë vetëm një pjesë të udhëtarëve të zakonshëm.

Restorantet, kafenetë dhe baret lejohen të rihapen vetëm që prej muajit qershor ndërsa muzetë, teatrot dhe koncertet mbeten të mbyllura. Jeta kulturore në Francë mbetet e ndalur. Të gjitha festivalet nga teatri në Avignon deri te xhazi dhe muzika klasike në plazhet e verës janë anuluar. Përsa u përket plazheve: ato do të qëndrojnë të mbyllura akoma deri në fillim të qershorit – me sa duket qeveria nuk u beson qytetarëve të saj se do të ruajnë distancën e mjaftueshme atje. Të paktën për perëndimin e vendit, ku ka vend për të gjithë edhe në kulmin e sezonit, kjo duket e tepruar.

Në përgjithësi, strategjia e daljes së qeverisë franceze jeton më pak nga një apel ndaj arsyes së përbashkët sesa nga një mori rregullash individuale teknokratike, që do të jenë të vështira për tu monitoruar.

Detyrim për maska në ambientet publike

Një fabrikë e maskave mjekësore është vendosur të rihapet në Bretanjë, e cila qe mbyllur në vitin 2018 për shkak të prodhimit më të lirë në Kinë. Rreth 200 milionë maska mund të prodhohen atje çdo vit, por do të kërkojë ende kohë derisa të vihen sërish në punë konvejerët në Plaintel.

Qeveria franceze do të kujdeset për një sasi maskash që do të shiten në farmaci. Përdorimi i tyre rekomandohet në ambjente të gjera të jetës së përditshme: fëmijët duhet të vënë maska në shkollë, po ashtu njerëzit që shkojnë për të bërë pazar dhe punonjësit në vendet e punës, ku nuk ruhet dot distanca minimale.

Pasoja të paparashikueshme për ekonominë

Vëmendjen për momentin e tërheqin sipërmarrjet e mëdha. Për shembull, shoqëria ajrore Air France-KLM do të shpëtohet nga shteti me mbi 7 miliardë euro – edhe Peugeot, si ndërmarrja më e madhe e automjeteve në vend, ka nevojë për ndihmë shtetërore. Borxhi i sektorit publik pritet të rritet në 125 përqind të produktit të brendshëm bruto, dhe prodhimi ekonomik mund të bjerë deri në 10 përqind. Pagesa për punë me orar të reduktuar dhe kompensimet për punonjësit e vetëpunësuar do ta rëndojnë buxhetin e shtetit me miliarda euro./DW/

Top Channel