Australia kërkon hetim për origjinën e koronavirusit, Kina e quan “çamçakëz poshtë këpucës”

29/04/2020 19:57

Kina ka akuzuar sot Australinë për “hile të vogla” gjatë një konflikti diplomatik për hetimin ndërkombëtar mbi përhapjen e pandemisë së koronavirusit.

Gjatë argumentit një zyrtar i Pekinit iu referua Australisë si “çamçakëz”, dhe kjo mund të sjellë përkeqësim të lidhjeve mes partnerëve tregtarë rajonalë.

Kryeministri australian Scott Morrison tha se propozimi i tij për hetim mbi zhvillimin dhe përhapjen e koronavirusit nuk kishte si objektiv Kinën. Ai kishte thënë: “Është e arsyeshme që bota të kërkojnë një vlerësim të pavarur sesi ndodhi e gjithë kjo, për të nxjerrë mësime që të mos ndodhë më”.

Por mediat kineze iu kthyen ashpër Morrison, dhe kritiku i njohur kinez Chen Hong shkruante se Australia po vihej në krye të ‘fushatës dashakeqe për të bërë fajtore Kinën’.

Kryeredaktori i gazetës shtetërore kineze Hu Xijin, tha: “Është si një çamçakëz i ngjitur poshtë këpucës së Kinës. Duhet të gjesh një gur për ta fërkuar që të ikë”.

Kina është partneri kryesor tregtar i Australisë. Zyrtarët e kësaj të fundit thonë se Pekini po kërkon t’i detyrojë të përulen ekonomikisht, pasi ambasadori kinez atje Cheng Jingye, tha se vendi duhet të bojkotojë produktet australiane prej thirrjeve për hetim.

Top Channel