Mishi nuk do të zhduket nga supermarketet për shkak të shpërthimit të koronavirusit mes punëtorëve në thertoret amerikane.
Por ndërsa qendrat e përpunimit të mishit po përpiqen t’i mbajnë dyert të hapura, konsumatorët mund të përballen me alternativa më të pakta dhe çmime më të larta, thotë VOA. Drejtuesit e industrisë e pranojnë se zinxhiri ushqimor amerikan rrallë herë është ngarkuar kaq shumë dhe se askush nuk është i sigurt për të ardhmen, madje edhe ndërsa ata po përpiqen të zbusin shqetësimet për mungesa mishi.
Të dielën, gjiganti i përpunimit të mishit Tyson Foods shfaqi një reklamë në një faqe të plotë të gazetës New York Times dhe gazeta të tjera, ku përshkruhej vështirësia e prodhimit të mishit duke mbrojtur shëndetin e më shumë se 100,000 punëtorëve dhe duke mbyllur disa qendra prodhimi. “Kjo nënkupton një gjë, zinxhiri i furnizimit me ushqim është i pambrojtur,” thuhet në deklaratë. “Ndërsa qendrat e përpunimit të mishit të derrit, viçit dhe pulave po detyrohen të mbyllen, madje edhe për periudha të shkurtra kohe, miliona kilogramë mish do të zhduken nga zinxhiri i furnizimit.”
Qindra punëtorë të fabrikave të përpunimit të mishit janë infektuar me Covid-19, duke çuar në mbylljen e disa prej qendrave më të mëdha të përpunimit të mishit në vend dhe duke ulur prodhimtarinë në shumë të tjera. Ndërsa niveli i prodhimit të mishit të viçit dhe shpendëve është reduktuar, qendrat e përpunimit të mishit të derrit në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara janë goditur veçanërisht fort.
Top Channel