Ndryshe nga Franca që vendosi të anulojë çdo aktivitet futbollistik deri në muajin gusht, Gjermania po përgatitet të rinisë futbollin e luajtur me Bundesligan që do të jetë një nga ligat e para të mëdha që do të rifillojë sezonin. Por edhe pse federata gjermane e futbollit ka dhënë ok-in që ky sezon të shkojë deri në fund, topi tashmë i kalon qeverisë gjermane pasi është ajo që do të vendosë nëse do të rifillojnë ose jo aktivitetet sportive.
Autoritetet prej ditësh kanë dhënë shpresa rifillimi, ndërkohë të gjitha skuadrat kanë nisur stërvitjen në kushte të rrepta higjenike dhe distancimi. Javën e ardhshme qeveria gjermane pritet të marrë një vendim përfundimtar.
Pritet të luhet pa tifozë deri në fund të kampionatit. Ky insistim i madh për të luajtur nga ana e Federatës gjermane vjen për shkak të gjendjes së vështirë financiare të klubeve të Bundesligas dhe Bundesliga 2. Më shumë se 13 klube janë pranë falimentimit dhe paratë nga e drejta e transmetimit do të ishin një ndihmë esenciale. Tifozët kanë qenë një burim i madh të ardhurash për klubet gjermane pasi aty stadiumet janë gjithmonë plotë, por në mungesë të tyre sytë janë nga televizionet të cilat mund të ofrojnë më tepër për të drejtën televizive.
Top Channel