BE nën akuzë: Minimizoi raportin për dezinformimin kinez mbi Covid 19!

28/04/2020 16:47

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian po përballet me pyetje të forta mbi akuzat se raporti i bllokut në lidhje me dezinformimin kinez mbi Covid-19, u minimizua për shkak të presioneve nga Pekini.

Në një letër drejtuar Josep Borrell, eurodeputeti hollandez Bart Groothuis bën thirrje për një “shpjegim zyrtar dhe të plotë për parlamentin Europian” në lidhje me këtë raport, mes provave të reja që ai u ndryshua nën trysninë e Kinës, shkruan The Guardian.

Mosmarrëveshjet janë përshkallëzuar që prej javës së kaluar, kur New York Times doli me pretendimin se zyrtarët e BE-së e kishin vonuar dhe më pas rishkruar raportin, publikimin e të cilit Kina, nga sa theksonte e përditshmja prestigjoze, ishte përpjekur ta bllokonte. “Kinezët po kërcënojnë me reagime nëse del raporti”, i shkruajti kolegëve Lutz Güllner, kreu i komunikimit në shërbimin e jashtëm të BE, në një email të parë nga gazeta. Si përfundim, raporti u botua në faqen online të bllokut të premten.

Si studim mbi dezinformatat mbi Covid-19 në të gjithë botën, ai përmblidhte në përgjithësi dhe analizonte informacionet në dispozicion të publikut. Ai thoshte se ka pasur “ një nxitje të vazhdueshme dhe të koordinuar nga disa aktorë, përfshirë burimet kineze, për të devijuar fajin shpërthimit të pandemisë dhe për të nxjerrë në pah ndihmën bilaterale”, e fliste dhe për “dëshmi të rëndësishme mbi operacione të fshehta kineze në mediat sociale”. Groothuis i tha Guardian se BE-ja dukej se e kishte “zhdukur thelbin e përmbledhjes”, pasi sipas tij, varianti mëparshëm ofronte detaje mbi pretendime të rreme te qeverisë kineze.

Top Channel