I shëruar nga Covid, jep gjakun e tij për vaksinën/ Tom Hanks: Do quhet Hank-ccine

27/04/2020 20:38

Pasi u sëmurën dhe u shëruan, Tom Hanks dhe bashkëshortja Rita Willson, kanë vendosur të dhurojnë gjakun për të ndihmuar kështu shkencëtarët që të gjejnë një vaksinë kundër Covid 19, për të cilën, aktori ka gati edhe një emër, Hank-ccine.

Këtë e ka treguar vetë çifti. “Unë dhe Rita, tani jemi mirë, madje shumë mirë”, ka thënë ylli i Forrest Gump që kishte zbuluar se ishte pozitiv me koronavirusin ndërsa ndodhej në Australi për një film biografik për Elvis Presley- ndaj edhe menduam, po tani, çfarë të bëjmë? A ka diçka që mund të bëjmë për të ndihmuar të tjerët? Dhe dolëm në përfundimin se kemi në qarkullim antitrupat e virusit dhe u ofruam të dhuronim gjakun tonë. Kur u kthyen në Los Angeles, në fund të marsit, bashkëshortët Hanks, u izoluan dhe tani janë shëruar nga Covid 19. Por, nuk e patën të lehtë, mbi të gjitha Rita. Kishim simptoma të ngjashme me gripin – ka shpjeguar Hanks – dhe bashkëshortja ime, Rita, ishte pak më rëndë sepse kishte temperaturë shumë të lartë dhe për thuajse tre javë nuk mundej të ndjente shijen e ushqimit. Sidoqoftë kemi qëndruar të izoluar në mënyrë që askush tjetër të mos e merrte virusin. Pasi frika kaloi, tani është radha e shpresës për të gjetur sa më shpejt një vaksinë për Covid 19.

Dhe nëse gjaku i Hanks dhe bashkëshortes do të kontribuonte për këtë, atëherë aktori nuk ka dyshim, vaksina duhej të mbante emrin e tij. “Po them lart e poshtë se nëse antitrupat tanë do të funksiononin, do të doja që vaksina të quhej Hank-ccine- ka thënë Hanks. Pak ditë më parë, aktori i vlerësuar edhe me një çmim oskar, kishte bërë lajm pasi i ishte përgjigjur letrës së një fëmijë australian që i tregonte se ishte viktimë e bullizmit në shkollë për shkak të emrit të tij, Korona. Pasi mësoi historinë, Hanks i kishte dërguar një mesazh duke e shoqëruar nga makina e tij e preferuar e shkrimit, korona.

Top Channel