Zbutje e masave të izolimit/ OBSH paralajmëron: Jo ‘pasaportave të imunitetit’ apo ‘certifikatat jashtë rrezikut’

26/04/2020 14:42

Qeveritë nuk duhet të lëshojnë të ashtuquajturat ‘pasaporta imuniteti’ ose ‘certifikatat jashtë rrezikut’ si mënyrë e zbutjes së masave të izolimit – paralajmëron OBSH.

Organizata ka përsëritur edhe një herë se nuk ka prova që njerëzit që kanë zhvilluar anti trupa pas shërimit nga koronavirusi, janë të mbrojtur nga një infeksion i dytë. Një lëvizje e tillë, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të shtonte transmetimet e virusit – thotë OBSH duke sqaruar se njerëzit që mendojnë se janë imunë, mund të mos marrin më masa mbrojtëse.

Disa qeveri po konsiderojnë lejimin e njerëzve që janë shëruar nga koronavirusi të udhëtojnë apo kthehen në punë. Kufizimet e vendosura për lëvizjen me qëllim ndaljen e përhapjes së virusit, kanë goditur rëndë ekonomitë në të gjithë botën. Por, afro 3 milionë raste të koronavirusit janë konfirmuar tashmë në të gjithë botën dhe mbi 200 mijë vetë kanë humbur jetën. Ndaj, OBSH, e gjen veten për të disatën herë, duke paralajmëruar se nuk ka asnjë provë që njerëzit e shëruar nga covid 19 dhe kanë antitrupa, janë të mbrojtur nga një infektim i dytë. Shumë studime të deritanishme kanë treguar se njerëz që janë shëruar nga infeksioni kanë antitrupa në gjak, por disa prej tyre kanë nivele shumë të ulëta antitrupash.

Kjo sugjeron se një pjesë tjetër e reagimit imun të trupit, qelizat T, që eliminojnë qelizat e infektuara, mund të jenë po ashtu kritike për shërimin. Deri tani, asnjë studim nuk ka sqaruar nëse prania e antitrupave të virusit sjell imunitet ndaj infektimit të mëpasshëm tek njerëzit – thotë OBSH sipas të cilës edhe testet laboratorike për të pikasur antitrupat kanë nevojë për vlerësim të mëtejshëm për të përcaktuar saktësinë e tyre dhe po ashtu duhet edhe të dallojë ndryshimin mes infeksionit të mëparshëm nga sars cov 2, që ka shkaktuar pandeminë, dhe gjashtë koronaviruse të tjera të njohura në qarkullim. Javën e kaluar Kili tha se do të fillonte të lëshonte ‘pasaportat e shëndetit’ për personat që janë shëruar nga sëmundja.

Në Suedi, vend ky që ka qëndruar i hapur, shkencëtarët besojnë se do të dalin me nivele më të larta imuniteti, krahasuar me ata që jetojnë nën izolim të rreptë. Ndërkohë që edhe Britania e Madhe po mbështetet gjerësisht tek testet e imunitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA