SHBA/ Gjykatësja urdhëron lirimin e imigrantëve të mitur, ndaluar gjatë pandemisë

26/04/2020 03:52

Një gjykatëse amerikane ka urdhëruar lirimin e fëmijëve imigrantë që janë ndaluar në kufirin me Meksikën, pasi arriti të premten në përfundimin se administrata e Presidentit Donald Trump po shkelte përsëri një marrëveshje për t’i liruar brenda 20 ditësh.

Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Kushtetuese ka sfiduar politikat e administratës së Presidentit Trump për ndalimin e fëmijëve, në emër të personave që kanë paditur që thonë se pandemia e koronavirusit ka shkaktuar më shumë vonesa në lirimin e fëmijëve imigrantë. Argumenti i qendrës kundër administratës bazohet në një pakt të vitit 1997 të njohur si marrëveshja Flores, sipas së cilës të miturit që janë ndaluar në objekte të paliçencuara në kufirin SHBA-Meksikë, duhet të lirohen brenda një periudhe 20 ditore.

Paditësit thonë se Zyra e Shteteve të Bashkuara për Risistemimin e Refugjatëve, ndaloi dorëzimin e fëmijëve tek prindërit apo persona të tjerë kujdestarë në shtetet e Kalifornisë, Uashingtonit dhe Nju Jorkut, për të shmangur mosrespektimin e rregullave të izolimit, që janë imponuar për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ata akuzojnë gjithashtu administratën se e ndali procesin e lirimit të disa fëmijëve sepse prindërit apo kujdestarët e tyre e kishin të vështirë të jepnin shenjat e gishtërinjve, një detyrim për kontrollin e tyre.

Personat që kanë ngritur paditë argomentojnë se vonesat mund t’i ekspozojnë fëmijët ndaj koronavirusit, nëse përhapet në qendrat e ndalimit.
Gjykatësja Dolly Gee, që mbikqyr çështjen, nuk ra dakord me të gjitha akuzat por përsëri e urdhëroi administratën që të “përshpejtojë lirimin e fëmijëve”. Në një vendim tjetër muajin e kaluar, Gee i quajti qendrat e ndalimit të imigrantëve “si pika të nxehta transmetimi” të virusit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA