Zelandë e Re/ Qeveria jep 30 milion dollarë për mediat

24/04/2020 02:27

Qeveria e Zelandës së Re do të shpenzojë 60 milionë dollarë neozelandezë, ose mbi 30 milionë dollarë për mediat që e kanë gjetur veten në vështirësi si pasojë e krizës së koronavirusit. Organizatat e mediave i kishin kërkuar ndihmë qeverisë së Jacinda Ardern gjatë muajit të shkuar pasi të ardhurat nga reklamat kishin shteruar.

Çdo media në Zelandën e Re ka marrë ndërkaq pjesën përkatëse nga programi i subvencionimit të pagave të qeverisë që mbulon një pjesë të pagave për një periudhë 12 javore për punonjësit në industritë në vështirësi. Sidoqoftë, industria e medias u bë sektori i tretë, pas atij të shëndetësisë dhe aviacionit, që merr mbështetje specifike, pas njoftimit më të fundit të qeverisë.

Kjo mbështetje reflekton rolin e rëndësishëm që media luan në këtë kohë duke ofruar akses në lajme të besueshme dhe duke i mbajtur banorët e vendit të informuar ndërsa janë në izolim – tha ministri i komunikacionit në vend. Sipas informacioneve – tha ai, zelandezët i janë kthyer burimeve të besueshme të lajmeve në numra rekord në këtë kohë kaq kritike ndaj media duhet të mbështetet në mënyrë që të vazhdojë të bëjë punën e saj të mirë, siç ka bërë deri më tani.

Sidoqoftë, paketa nuk është pritur shumë mirë nga industria, që thotë se ajo nuk është e mjaftueshme për të ndaluar reduktimet e mëtejshme të stafit apo mbylljen totale të disa mediave. Ndërkohë që media e shtypur dhe revistat, thuajse janë injoruar.

Të enjten, dy viktima dhe tre raste të reja të koronavirusit u raportuan në Zelandën e Re ndërsa më shumë se 1450 persona janë infektuar në vend. Një total prej 16 personash kanë humbur jetën dhe tetë janë në spital.

Top Channel