Qeveria nxori protokollin e kuq të masave higjieno-sanitare për biznesin fason në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Mes 27 pikave janë matja e temperaturës së punonjësve, me termometër infrared çdo ditë për temperatura me të larta se 37,5 gradë apo të shfaqjes së simptomave të tjera. Mbi këtë temperaturë asnjë nuk duhet të lejohet në subjekt. Nga ana tjetër, çdo punonjës është i detyruar t’i deklarojë administratorit dhe mjekut të ndërmarrjes nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Në rast të vajtje-ardhjes në punë me shërbim transporti me autobusë, punonjësit ulen në anësoret e dritareve të autobusit, duke lënë një hapësirë rreshti bosh pas tyre. Subjekti, sipas protokollit të kuq, duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur, të cilët duhen pastruar çdo ditë dhe dezinfektimi i ambienteve të bëhet me shumë se 2 herë në ditë. Protokolli kërkon që në çdo rast të sigurohet ajrimi natyral të paktën 5 herë në ditë. Ndërkohë punonjësit nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës të kolegëve.
Por biznesi fason ka reaguar duke thënë se disa nga këto pika janë të pamundura të zbatohen. Në rastin e përdorimit të dorezave, kjo nuk mund të realizohet pasi punëtoret nuk qepin dot me gjilpërë teksa mbajnë doreza. Edhe respektimi i distancës dy metra, sipas fasonëve nuk bëhet dot pasi ka shumë punëtore dhe ndërkohë mjedisi i subjektit është vogël. Shqetësim u ngrit edhe për ruajtjen e distancës në autobus. Bizneset fasonë thonë do të duhet bëhet transporti i 15 personave në një rrugë, që do të thotë se sjellja e të gjitha punëtoreve në subjekt do të kërkojë katër ose më shumë udhëtime për një turn./Ardi Pulaj/
Top Channel